Në reforma u investua shumë, tani të kërkohen rezultate është e natyrshme!

Shkup, 20 shtator – Se vendi ka nevojë për reforma të vazhdueshme është e padiskutueshme, por fakti kryesor qëndron te periudha kur Maqedonia e Veriut ishte e obliguar t’i nënshtrohej reformave të shumta në shumë fusha, pra një reformim masiv dhe të shpejt që të arrij sa më parë në plotësimin e kushteve të nevojshme për të filluar negociatat me BE-në. E për këto reforma Bashkimi Evropian dhe SHBA-të kanë investuar mjaftueshëm. Prandaj, tani është e pritshme dhe shumë e natyrshme kërkimi i rezultateve për ato reforma për të cilat është investuar me vite, shkruan Zhurnal.

Aggeler: Reformat në Maqedoninë e Veriut u kanë kushtuar tatimpaguesve amerikanë gjysmë miliard dollarë

Angazhimet për reforma në Maqedoninë e Veriut, tatimpaguesve amerikanë u kanë kushtuar rreth gjysmë miliard dollarë. Prandaj, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, gjatë prezantimit të rekomandimeve dhe planit aksionar për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor, u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të punojnë së bashku për të krijuar një reformë të vërtetë gjyqësore. Ajo shtoi se të vepruarit nuk ka çmim, sidomos kur veprimet bazohen te kurajoja dhe integriteti. Ageler tha se duhet rindërtuar besimi në gjyqësor si dhe transparenca në procedura ligjore.

“Thuhet se “të flasësh është pa para”, dhe zakonisht kjo është e vërtetë. Por tri dekada të angazhimit dhe asistencës amerikane të të folurit për reformat në sundimin e ligjit, për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për një bashkëpunim më të madh mes gjyqësorit, shoqërisë civile dhe qytetarëve dhe zyrtarëve në këtë vend? Kjo nuk ka qenë pa para. Na ka kushtuar afërsisht gjysmë miliard dollarë të taksapaguesve. …Pra, le ta riemërtojmë ndryshe marrëveshjen e sotme “Thirrje për veprim”. Le të angazhohemi për ta bërë këtë plan më shumë se një dokument për t’u nënshkruar dhe arkivuar. Gjyqtarët, prokurorët, ministrat, anëtarët e parlamentit dhe drejtuesit e shoqërisë civile, madje edhe diplomatët duhet t’i kenë parasysh rekomandimet e tij dhe më pas të punojnë së bashku për të krijuar një reformë të vërtetë gjyqësore,” – Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së në Shkup.

Darko Avramovski nga koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta” tha se platforma e “Përmirësimit të pjesëmarrjes së palëve të përfshira në procesin e reformave në gjyqësor” ka për qëllim koordinimin mes gjykatësve dhe prokurorëve publikë, ndërtimin e qëndrimeve të përbashkëta lidhur me problemet dhe çështjet e rëndësishme të fushës.

“Të ofrohen rekomandime nga ana e tyre që kanë të bëjnë me pushtetin ekzekutiv, ligjvënës, por edhe pushtetin gjyqësor, me qëllim që të përparohet efikasiteti dhe shpejtësia e procedimeve penale dhe mbi të gjitha sundimi i së drejtës… megjithatë, veçanërisht ato procedura penale që edhe opinioni më shpesh i ndjek dhe përmes tyre informohet për punën e gjykatave,” tha Darko Avramovski, “Të gjithë për gjykime të drejta”.

Një pjesë e rekomandimeve kanë të bëjnë me ndryshimin e praktikave dhe qasjes së veprimit të vetë prokurorëve publikë dhe gjykatësve.

Reformat në gjyqësor janë të patjetërsueshme-

Pa qeverisje funksionale të së drejtës, Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë për përparim në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht duke pasur parasysh se pika kyçe gjatë negociatave të cilat ende nuk kanë filluar është pikërisht kapitulli 23, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut. Perceptimi aktual i sistemit gjyqësor Në Maqedoninë e Veriut është pasqyrim i asaj për të cilin vlerësohet se është skajshmërish i partizuar, institucionet e drejtësisë nuk funksionojnë, thënë thjesht, gjyqësori nuk e kryen funksionin e tij si autoritet i tretë, pra si korrigjues i legjislativit dhe ekzekutivit.

Prandaj nuk duhet të habitemi me besimin jashtëzakonisht të ulët i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili tashmë ka rënë nën katër për qind, që është një fakt shkatërrues për një vend. Prandaj, në plotësimin e kirtereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE është e domosdoshme edhe adaptimi i ligjeve të vendit kandidat me ato të BE-së, e kjo praktikë pra merret nga vendet evropiane të zhvilluara.

Një sondazh i OSBE-së që u publikua gjatë këtij viti zbuloi të dhëna shkatërruese mbi punën e gjyqësorit. 72 për qind e gjyqtarëve të anketuar nuk pajtohen se Këshilli Gjyqësor është mbrojtës i pavarësisë së gjyqësorit. Më shumë se gjysma e prokurorëve në shtet besojnë se këshilli i tyre nuk vendos në mënyrë të pavarur. Sondazhi vjen në një periudhë trazirash në këshillin gjyqësor që ka rezultuar me dorëheqje. Faktori ndërkombëtar e vlerësoi trupin si të paligjshëm.

Për më tepër, si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët publikë shprehën mosbesim të konsiderueshëm në punën e këshillave të tyre, ku tre nga katër gjyqtarë të anketuar u shprehën se nuk besojnë se Këshilli Gjyqësor mbron me sukses pavarësinë gjyqësore, ndërsa më shumë se gjysma e prokurorëve publikë të anketuar tregojnë se nuk besojnë se Këshilli i Prokurorëve Publikë merr vendime në mënyrë autonome dhe të pavarur.

Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues./Zhurnal.mk