Në Nepal dhe Indi 48 të vdekur në shirat monsune

Në Nepal dhe Indi, 48 persona kanë vdekur nga shirat monsune dhe rrëshqitjet e dheut, njoftuan sot autoritetet e të dyja vendeve.

Në Nepalin perëndimor, 22 persona kanë humbur jetën nga rrëshqitja e dheut që ka ngujuar rreth 100 shtëpi, kumtoi policia lokale, duke shtuar se 11 persona janë lënduar

Në Indinë fqinje, 26 persona kanë vdekur nga shirat monsune që kanë rënë që nga e premtja.

Mes viktimave ishin nëntë punëtorë të bllokuar nga shembja e një muri ndërtimi në qytetin Laknau në shtetin indian Utar Pradesh.

Sezoni i shirave monsune, i cili zgjat nga qershori deri në shtator, është i rëndësishëm për ujitjen e të mbjellave dhe për furnizimin me ujë në atë pjesë të Azisë, ku jeton një e pesta e popullsisë së botës. Megjithatë, në atë stinë një numër i madh njerëzish vdesin nga përmbytjet dhe stuhitë.