Në manifestimin “Dita e Republikës” në Krushevë, në prezencën e Ahmetit dhe Grubit gjuha shqipe u la në “harresë”, reagojnë funksionar të BDI-së
Shkup, 3 gusht – Gjatë ditës së djeshme në Krushevë u shënua Dita e Republikës – Dita e Ilindenit. Në këtë manifestim morën pjesë i gjithë kreu shtetëror, në krye me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev, zv.kryeministri Artan Grubi, kreu i BDI-së Ali Ahmeti e shumë funksionarë të tjerë të pushtetit, shkruan Zhurnal.mk.
Për dallim nga viti i kaluar 2020, atëherë ku në po të njejtin vend u organizua një manifestim i tillë, e kur në skenë prapavija ishte e shënuar në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, këtë vit gjuha shqipe si duket u la në harresë.
Në vitin 2020 skena ishte zbukuruar edhe me gjuhën shqipe ku shkruante: “Të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit”, ndërsa sivjet e njejta skenë nuk përmbante dhe shqipen por shkruante vetëm në Maqedonisht: “Илинден 2021„
Për këtë veprim ka reaguar edhe vet drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela. Ai përmes një postimi në FB, ka pyetur krerët shtetëror se si do të ndërtojmë shtetin e përbashkët kur nuk respektohet gjuha shqipe?
“2020 ishte në dy gjuhë, 2021 në një gjuhë!!!!!
A do e ndërtojmë shtetin e përbashkët????”, ka shkruar Sela.
Ky është edhe një veprim i radhës ku krerët shtetëror shqiptarë nuk janë të aftë të mbrojnë gjuhën e tyre dhe në një manifestim ku janë të ftuar dhe shqiptarët, të vendoset shkrimi edhe në shqip. Nëse në 2020tën të gjithë ishim fëmijë të Ilindenit, edhe tani të gjithë duhet të respektojmë gjuhën shqipe sepse Maqedonia përbëhet nga shoqëri multietnike. Madje, gjuha shqipe është e garantuar edhe me Kushtetutë.
Një funksionar i lartë nga BDI për Zhurnal thotë se Zv.kryeministri Artan Grubi duhet të jetë më sy hapur në raste të tilla sepse ai përfaqëson shqiptarët dhe gjuhën shqipe në pushtetin ekzekutiv. Nëse ai vet nuk është i interesuar për gjuhën shqipe, të tjerët nuk duan t’ia dinë për këtë, shkruan Zhurnal.mk
.
.