Në listën e barnave përfshihet terapia kundër duhanit
Shkup, 5 prill medial.mk/ – Për herë të parë, në listën pozitive të barnave është përfshirë edhe terapia kundër duhanpirjes. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sqaroi se nuk heq dorë nga ligji për mbrojtjen nga duhani, por kjo është pjesë e strategjisë për zbatimin e tij. Sipas tij, qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Qeverisë është që brenda tre viteve të ulin përqindjen e duhanpirësve aktivë nga 45 për qind në 20 për qind.
“Ky hap është pjesë e strategjisë së ligjit, pasi që ligji edhe njëherë potencojmë që ka dy qëllime. Qëllimi i parë është që ti mbrojmë qytetarët të cilët nuk janë duhanpirës aktiv dhe qëllimi i dytë është që të informon qytetarët të cilët janë duhanpirës aktiv që të zvogëlojnë atë apo ta lënë komplet”, deklaroi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon masa të rrepta, duke përfshirë ndalimin e plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës. Po ashtu, ai parasheh ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, si dhe rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës. Pas kërkesave të gastronomëve dhe konsultimeve me ekspertë, në propozim-ligj është paraparë që tarracat të jenë të hapura në dy anë, ndërsa bizneset të kenë hyrje të veçantë për jo duhanpirësit.
Qëllimi i ligjit është mbrojtja e qytetarëve që nuk pinë duhan, duke u mundësuar atyre të frekuentojnë objektet pa u ekspozuar ndaj tymit, ndërsa për duhanpirësit do të caktohen zona të veçanta.
Objektet gastronomike do të kenë një afat prej gjashtë muajsh për t’u përshtatur me kërkesat e reja ligjore. Megjithatë, subjektet që e konsiderojnë këtë periudhë të pamjaftueshme, në koordinim me ekspertët, mund të kërkojnë zgjatjen e afatit edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Ligji pritet të miratohen në seancën e ardhshme të qeverisë.

