Në Kumanovë nesër hapet spitali modular, hospitalizohen 16 pacientë me Kovid-19
![](https://medial.mk/wp-content/uploads/2021/08/infektiv-kumanov.png)
Kumanovë, 10 gusht – Gjashtëmbëdhjetë pacientë të Kumanovës, me komplikime të virusit Kovid-19 trajtohen në repartin infektiv në Spitalin e Përgjithshëm, informuan sot kompetentët. Pothuajse të gjithë janë në mbështetje të oksigjenit, sepse, siç sqaruan mjekët, janë hospitalizuar pacientë me pasqyrë të mesme dhe të rëndë, ata me pasqyrë lehtë trajtohen në spitalin ditor, ndërsa ata me simptoma të lehta janë në trajim shtëpie nën mbikëqyrje të mjekëve me terapi tabletash.
“Duke pasur parasysh që reparti infektiv ka shumë dhoma, ndërsa vijnë pacientë me simptomatologji tjetër, prej nesër do ta hapim edhe spitalin modular. Nëse në valët e mëparshme kishim problem me hapësirë, tani problem të këtillë nuk kemi. Falë spitalit modular të cilin e morëm nga Ministria e Shëndetësisë, ka mjaft shtretër spitalor, gjitha që nevojitet. Problem me këtë valë është periudha e pushimeve verore, paraprakisht personeli nuk shfrytëzoi pushime, por tani shfrytëzohen. Ditëve të kaluara kemi bërë rishpërndarje, na mbetet të shpresojmë se nuk do të ketë rritje të madhe të të sëmurëve”, deklaroi drejtoresha e spitalit, dr. Snezhana Zaharieva.
Ajo sqaroi se të gjitha repartet në spital do të funksionojnë pa problem, përfshirë pjesën operative dhe ambulantore të reparteve të ndryshme në spital.
Edhe mjekët familjarë konfirmojnë se po rritet numri i të infektuarve. Dr. Fatmir Asani, kryetar i Shoqatës së Mjekëve Familjarë të Kumanovës deklaroi se virusi shpejt po përhapet dhe se vetëm në ambulancën e tij ka tridhjetë pacientë të cilët janë me virusin korona.
“Është shumë me rëndësi të vaksinohemi, por edhe të kemi kujdes, të mbajmë distancë”, thotë Asani.