Në Klinikën për fëmijë u shërua me sukses një vajzë nga leukemia

Shkup, 31 janar – Në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijë është shëruar me sukses një fëmijë nga leukemia, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Ai sot e vizitoi Klinikën me qëllim që të shohë, siç tha deri ku kanë mbërritur punët ndërtimore në Repartin për onkologji, i cili pritet që të hapet së shpejti.

“Qendra onkologjike pranë Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve është një nga më të suksesshmet në rajon dhe për këtë qëllim kam ardhur për të mbështetur punën e mëtutjeshme të Klinikës”, shtoi Sali.

Drejtoresha e Klinikës, Aspasija Sofijanova theksoi se është e kënaqur që përgatitjet për hapjen e Qendrës së re rajonale të Onkologjisë janë drejt përfundimit.

“Sot kishim lëshimin në shtëpi të një vajze, e cila për nëntë muaj është mjekuar nga leukemia dhe e përfundoi me sukses trajtimin pa asnjë pasojë. U gëzuam që mundi t’i binte ziles, që do të thotë se duhet ende të mbështesim dhe respektojmë më së shumti lumturinë e fëmijëve dhe këtu fillon edhe lumturia e të rriturve. Patëm një ditë të bukur dhe le të vazhdojë kështu”, tha doktoresha Sofijanova.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ajo theksoi se Reparti i ri i Onkologjisë do të ketë një kapacitet për 25 deri në 30 fëmijë, përfshirë edhe ato pas transplantimit, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

“Gjithsej të shpërndarë në dy departamentet kemi rreth 20 fëmijë”, shtoi dr. Sofijanova