Në ITSHKSH promovohet libri “Një shqiptar në CIA….”

Shkup, 22 mars – Të martën në ITSHKSH është promovuar libri biografik “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” i autorit Bashmir Xhemaj.

Ky libër i rrallë bën fjalë për një shqiptar nga Prizreni, Destan Berisha që u rreshtua përkrah Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA) pas Luftës së Dytë Botërore, është mbështetur në arkiva të CIA-së dhe shumë burime të tjera arkivore e intervista në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Gjermani, Angli dhe Greqi.

Duke folur për librin,drejtori I ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, vuri në dukje se autori Bashmir Xhemaj ka sjellë dëshmi mbi një figure krejtësisht të panjohur, i cili sakrifikon veten për një kauzë sublime kombëtare. Protagonisti i librit, Destan Berisha, internacionalizon çështjen shqiptare, duke e nxjerrë atë në arenën e madhe të konfrontimeve gjeopolitike, tha Asani.

Duke trajtuar këtë libër në kontekstin e rrethanave historike, Dr. Asani u ndal në disa keqkuptime që i kishte imponuar pushteti ndaj shqiptarëve, duke i etiketuar si ballist, si alibi e shtypjes së të drejtave të tyre. Kontaktet e para të shqiptarëve me shërbimet sekrete amerikane kanë ndodhur në vitin 1911 dhe ka vazhduar në mes të dy luftërave botërorore dhe pas LDB. Destan Berisha është një dëshmi e këtyre kontakteve dhe bashkëpunimeve, i cili e bën aktin sublime duke braktisur Amerikën dhe vendos ta sfidojë Jugosllavinë, me ardhjen në vendlindje, me çka pason edhe burgosja e tij. Por pastaj aktivizohet diplomacia amerikane në favor të lirimit të tij, tha Dr. Skender Asani, sipas të cilit ky libër do të hyjë në analet e historiografisë, sepse ofron mjaft të dhëna e dëshmi që na kanë munguar.

Historiani Durim Abdullahu tha se autori Xhemaj ka mishëruar më së miri në një libër rrëfimin, burimet e shumta, stilin, historinë, ngjarjet dhe personazhet. Ai vlerëson se libri është shembull se si
një biografi mund të bëhet histori dhe si i I tillë ky libër është shumë rrallë dhe shumë i vlefshëm për historiografinë shqiptare.

“Duke përcjellë jetën e Destanit, autori rrëfen një epokë historike. Libri shpalos detaje se si Destan Berisha kontaktohet nga amerikanët në vitin 1948, të cilët bashkë me britanikët kishin nisur përpjekjet për ta rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri. Aty tregohet veprimtaria e Berishës si agjent i CIA-s gjatë katër viteve sa zgjati operacioni”, ka thënë Durim Abdullahu.

Vetë autori Bashmir Xhemaj, tha se ndjehet i lumtur që libri i tij po promovohet në ITSHKSH, me ç’rast e falënderoi drejtorin, prof.dr. Skender Asanin. Ai me këtë rast nuk foli për brendinë e librit, por për motivet për ta shkruar atë, pasi që, sipas tij, që në fëmijëri kishte dëgjuar për Destan Berishën, mirëpo ajo kishte qenë në formë të rrëfimeve që ishin bë gati si legjenda.

Autori tha se i janë dashtë katër vite për ta shkruar këtë libër, me ç’rast ka shfrytëzuar dosjet arkivore në arkivat e ndryshme dhe dëshmi të gjalla të personave që kanë folur mbi figurën e Destan Berishës, cili kishte vdekur në vitin 2004.

Të gjitha këto hulumtime autori i ka bërë pas vitit 2013, kur edhe bëhet deklasifikimi i të dhënave nga ana e CIA. Ky libër, sipas autorit, nuk është i rëndësishëm për vet protagonistin, por është i rëndësishëm për kontekstin historik në të cilin ka vepruar ai. Përmes këtij libri, tha autori, kuptohet më mirë situata në të cilën ndodheshin shqiptarët në vitet e pas LDB dhe raportet në mes të shteteve në kohën e Luftës së Ftohtë.