Në ‘Fshatin e pikturuar’ të Ukrainës teksa lufta po afrohet
Piktorët e Petrykivkas po vazhdojnë zanatin e tyre teksa raketat godasin Ukrainën lindore dhe koleksioni i artit historik të qytetit transportohet në vende më të sigurta.
Në muzeun e Petrykivkas në Ukrainën lindore, një dhomë është bosh.
Para nisjes së pushtimit të Rusisë më 24 shkurt, ndërtesa ruante thesare arti unike për rajonin, por tani kuratori i muzeut thotë se pikturat janë dërguar në një vend “sekret” për t’u ruajtur. Një detaj i një pikture nga Petrykivka.
Petrykivka është vetëm disa orë udhëtim me makinë larg nga luftimet e vijës së parë në Ukrainë. Por, më 27 qershor, në të njëjtën ditë që Radio Evropa e Lirë vizitoi qytetin, të paktën 20 njerëz u vranë kur një raketë ruse prej 5.8 tonësh shkatërroi një qendër tregtare në Kremençuk, më pak se 100 kilometra larg. Të nesërmen, raketat goditën Dnipron, vetëm 40 kilometra larg nga Petrykivka.
Artistja, mjeshtre arti, e vizatimeve të stilit të Petrykivkas, Natalya Rybak, duke punuar, më 27 qershor.
Pikturimi Petrykivka është një formë e lashtë arti që dikur dekoronte muret e jashtme dhe ato të brendshme të shtëpive të fshatit ukrainas në rajonin rural rreth Dnipros. Arti me ngjyrë karamele fillimisht besohej se largonte shpirtrat e këqij dhe i siguronte një familjeje begati e dashuri.
Në vitin 2013, ky lloj arti u regjistrua në listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në botë.
Kjo formë pikturimi daton rreth 300 vjet më parë, por shembujt e hershëm të artit kanë humbur për shkak të përdorimit të materialeve që prishen. Para se të përdornin ngjyrë dhe llak, banorët e Petrykivkas përdornin ngjyra natyrale, duke përfshirë lëngjet e shtrydhura nga luledielli, panxhari, qershitë dhe bari. Një shtresë me shkëlqim u jepej nga sheqeri i zier.
Natalya Rybak është një nga piktoret mjeshtre më të njohura të Petrykivkas dhe dekoron sendet e shitura në të gjithë Ukrainën dhe jashtë saj. Rybak thotë se ajo “adhuron” profesionin e saj, duke shtuar: “Nëse puna juaj mund të sjellë gëzim për njerëzit e tjerë, atëherë pse jo?”.
Rybak thotë se janë kryesisht gratë ato që pikturojnë në Petrykivka, sepse “burrat duhet të bëjnë punë të rënda fizike që stresojnë trupin e tyre, ndërsa gratë mund të jenë të rregullta dhe precize me prekjet e penelit”.
Pas pushtimit rus në shkurt 2022, artistja thotë se ndaloi të pikturonte për tre muaj për shkak të ankthit, por e rifilloi së fundmi.
“Kam parë se më qetëson dhe më ndihmon ta largoj mendjen nga lufta”, thotë ajo.

