Në festën e 20 vjetorit të themelimit të BDI-së qytetarët a duhet të veshin pancir mbrojtës?

Shkup, 23 maj – BDI parti e dalë nga lufta, më vonë parti e gjelbër e së fundmi “tallava parti” meqë edhe ka paralajmëruar që festën e 20 vjetorit të themelimit të saj do ta ketë me 9 këngëtarë të mirënjohur në publik, festë e cila do të zgjat dy ditë në Shkup dhe në Tetovë. Por, ajo që mbetet si dilemë edhe frikë e qytetarëve është fakti se kjo parti ndryshe feston me armë zjarri e breshër plumbash, madje në festa më të vogla si fitore në komuna. Ndërkaq, tani në 20 vjetorin e themelimit të partisë konsiderohet të jetë festë më e madhe, dhe krahas këngëve e valleve a do të festojnë siç kanë festuar më herët me armë zjarri. Dilemë e cila ndikon në sigurinë e qytetarëve, prandaj rekomandimi për veshje të pancirëve mbrojtës për pjesëmarrësit nuk është qëllim keq, shkruan Zhurnal.

Pancirët nuk përdoren vetëm në luftë, po gjithkund ku ka rrezik për ballafaqim me plumbin e me armë zjarri, janë me dhjetëra raste që festat janë shndërruar në tragjedi si pasojë e pakujdesisë dhe përdorimit të armëve në raste festimi. Një gjë e tillë pati ndodhur edhe gjatë festës së fitores në Komunën e Çairit nga BDI, festë e organizuar po në të njëjtin vend sheshin “Skënderbeu” ku edhe tani do të festohet 20 vjetori i themelimit të partisë. Në atë festë ishin dëgjuar të shtëna armësh e breshër plumbash me çka kryetari i sapo zgjedhur mbyllë sytë dhe ulë kokën nga zhurma e madhe dhe rreziku që ka mund t’i kanoset edhe atij, por fatmirësisht ka përfunduar pa ndonjë tragjedi.

Festat e tilla mbase janë rrezik edhe për jo pjesëmarrësit por që janë kalimtarë të rastit, pra bëhen veprime që rrezikojnë secilin qytetarë të bëhet viktimë e festës në mënyrë të pa kontrollueshme. Kjo traditë e keqe dhe e dëmshme për qytetarët pretendohet të bëhet për dy arsye edhe të festojnë edhe të frikësojnë. Por, pasojat do të jenë shumë të mëdha në rast pësimi nga ky “frikësim” me paramendim. Jeta e njeriut vlen më shumë se themelimi i partisë, edhe pse partia ndryshon fatin, flokët, e shumë gjëra të tjera të anëtarësuarve në parti, e ju jep gjithçka që kanë nevojë, por në asnjë moment vend e rast nuk mund që partia të jep jetë. Prandaj duke festuar për partinë nuk duhet të sakrifikohet për atë që nuk kërkohet.

Ajo që është më tragjike se personat që kanë shtënë në natën e fitores së BDI-së në Komunën e Çairit, janë të pakapshëm sikurse të kenë gjuajtur nga qielli e jo në drejtim të qiellit. Kjo është tregues se vritesh e viktimizohesh pa dashje e pa qëllim, nga festa mbi tokë përfundon nën tokë prej njerëzve që festojnë pa mend në kokë.

Festa me këngë e valle është festë normale që praktikohet kudo në botë, mirëpo numri i madh i këngëtarëve që do të këndojnë në këtë “festë të madhe” nuk dihet a do të krijojë hapësirë të mjaftueshme për të folur për sukseset dhe arritjet e kësaj partie. Për të argumentuar se lindja e kësaj partie ka lindur apo ka vrarë shpresë, për të dëshmuar se dalja e kësaj partie në skenë a ka nxjerrë qytetarët nga krizat e shumëfishta apo ka nxjerrë nga vendi.

Madje të flitet për themeluesit kush ishin e ku janë tani, për të folur për lëvizjet nga parti e luftës në parti e gjelbër, edhe pse ende në vendin tonë mbetet sugjerim me vend që po deshe të shohësh gjelbërim duhet të vendosësh syze të gjelbra.

Për të folur për çdo arritje e çdo dështim, sepse secili veprim i atribuohet kësaj “partie festive”, e cila seli të dytë ka Qeverinë pos të parës në Reçicë të Vogël aty ku nën tepih e mbajnë edhe çelësin e selisë së dytë, Qeverisë.

Që nga themelimi është partia më jetë gjatë në pushtet, që duket se ka gjetur formulën e fitimit të zgjedhjeve, nuk ka kriter për partnerin kur bëhet fjalë për pushtet. Gjendja e arsimit dhe e ekonomisë bie mbi supet e kësaj partie sepse kohë më të gjatë kanë qeverisur me këto dy institucione, duke mos përjashtuar edhe shumë institucione të tjera, Ministrinë e Jashtme, Mbrojtjes, Financave, e shumë të tjera.

Ndryshe, 20 vite më herët në deklaratën e themelimit të partisë në Tetovë më 5 Qershor 2002 Kuvendi Themelues i Bashkimit Demokratik për Integrim-BDI, pika katër në këtë deklaratë ishte “Implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, ndërkaq në 20 vjetorin e shënimit të kësaj marrëveshjeje po nga kjo parti sërish kanë premtuar se do të implementohet në tërësi, që nënkupton se edhe pas 20 vitesh marrëveshja nuk është implementuar.

Mes tjerash në këtë deklaratë njëra prej pikave ka qenë edhe “Kthimi i të gjithë refugjatëve në vendbanimet e tyre”, refugjatët e luftës u kthyen, por “refugjatët e paqes” kush i nxiti të largohen nga vendi. Pse ende edhe sot e kësaj dite eksodi masiv të rinjve po vazhdon e nuk ka të ndalur.

Shqetësues mbetet fakti se në të gjitha hulumtimet, përfshirë këtu dhe atë të Forumit Rinor për Arsim gjatë vitit 2021, më shumë se gjysma e të rinjve (58 për qind e të anketuarve) janë shprehur se nëse do të kishin mundësi, do të largoheshin nga Maqedonia e Veriut. Gjendje alarmante duhet të jetë sepse vendi do të futet në “krizë banorësh”, se në këtë mënyrë po shndërrohet në vend të pa banueshëm.

Në bazë të rezultateve të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, popullsia e përgjithshme jorezidente e përfshirë në Regjistrimin ku përkasin qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë në 12 muajt e fundit – 258.932 persona, prej tyre:

66.36% – Shqiptar

24.45% – Maqedonas

Shifra shqetësuese që tregojnë qartazi që numri i “refugjatëve të paqes” në vendet e Perëndimit është shumë i madh se i atyre të luftës që ishin strehuar në vendet fqinje për tu kthyer pas mbarimit të luftës. Ndërkaq, këta të rinj që po e braktisin vendin duke kërkuar një vend ku jetohet, janë refugjatë të pakthyeshëm.

Megjithatë, vlen të theksohet se BDI-ja nga themelimi është shquar si parti e dalë nga lufta, më vonë u bënë parti e gjelbër ekologjike, duke garuar në Komuna me këtë agjendë e së fundmi nga fushata e kaluar dhe kjo festa e paralajmëruar me këngëtarë të shumtë duket se kanë kaluar në “tallava parti”, duke garuar e festuar me këngë e valle. /Zhurnal.mk