Në Dibër dy ditë nuk ka të infektuar të rinj, nuk ka as pacientë në kovid-qendrën
Dibër, 18 mars – Dy ditë nuk ka të infektuar të rinj me Kovid-19 në rajonin e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, të cilët me aktivitetin e tyre i mbulon spitali i përgjithshëm i Dibrës me veprimtari të zgjeruar.
“Për momentin në zonën tonë ka 10 raste aktive, por janë në formë shumë të lehtë. Ajo që dua të theksoj veçanërisht është se nuk kemi pacientë për trajtim spitalor në qendrën e Covid-it në spitalin tonë, pasi sot kemi shkruar si të shëruar dy pacientët që ndodheshin në spital prej dhjetë ditësh. Gjithashtu, nuk ka pacientë në terapi ditore”, deklaroi për MIA-n Bali Alili, drejtor i spitalit.
Nga fillimi i pandemisë në dy komunat, sipas statistikës zyrtare, raste pozitive me virusin e rrezikshëm ishin 1.660 persona, ndërsa si pasojë e komplikimeve jetën e kanë humbur qindra prej tyre, Këtë muaj virusi është konfirmuar tek 25 persona,
“Apeloj tek bashkëqytetarët e mi edhe më tej t’i vazhdojnë masat për mbrojtje dhe të mos e neglizhojnë imunizimin. Në pikën e vaksinimit, që funksionon në spitalin modular brenda institucionit tonë, mund ta bëjnë çdo ditë”, thekson Alili.
Me dozën e parë janë përfshirë mbi 8500 persona, me të dytën rreth tetë mijë, ndërsa me dozën e tretë mbi 1150. Ndaj numrit të atyre të cilët janë të përfshirë me dy doza duhet të shtohen edhe mbi 1200 të cilët e kanë marrë vaksinën në Shkup dhe në Ohër.

