Në boten e Nderim Nezirit, opinionistit që nuk fluturon
Është emër i njohur i medias, prej atyre gazetarëve që fjala i zë vend. I guximshëm, i pa ndikueshëm dhe unik në çdo paraqitje. Çka thotë opinionisti i “Big Talk” për “Zhurnal”?
-Si ja bërë që dole nga “bota e radios” dhe u bëre pjesë e televizionit?
Radio është “botë në vete” dhe unë jam ende shumë brenda saj. Nuk i jam larguar asnjëherë. Nuk u bëra pjesë e televizionit me dashje të madhe dhe sforcim. Jam i kyçur në projekte të caktuara dhe kjo më jep komoditet, pasi nuk do të mund ta përballoja lehtësisht stresin që të jep përfshirja totale në televizion.
Një dallim mes radios dhe televizionit?
Të dyja janë media dhe misionin e kanë të njejtë. Por, televizioni dhe radio kërkojnë specifika dhe aftësi profesionale të ndryshme. Në radio kërkohet oratoria, zëri dhe gjeturia, në televizion të gjjtha këto, por edhe pamja e jashtme, menaxhimi dhe kontrrollimi i çdo detaji. Praktikisht, televizioni është më sfidues, sepse të vë shumë më në qendër dhe kjo krijon përgjegjësi shtesë.
E, megjithatë duket se ti përjetësisht do të mbetesh “Nderimi i Kosovares”
Nuk ka se si ndryshe, pasi gjithçka ka nisur aty, qysh kur isha vetëm 15 vjeç. Nuk rresht së falenderuari këtë medium për hapsirën, mbështetjen e pa kursyer dhe mundësinë për zhvillim profesional dhe personal. Aty ku ndihesh i lirë dhe i pa cënuar, aty zhvillohesh. “Kosovarja” ishte dhe është shtëpi për mua.

Nuk të kemi parë kurrë si prezantues në televizion, vetëm si opinionist. Pse?
Është çështje ofertash. Pastaj, më pëlqen kategorizimi që më bëhet. Kam punuar gjatë për ta strukturuar mendimin tim dhe jam i kënaqur që i jepet hapsirë.
Më mirë opinionist në një emision me tema sociale, apo argëtuese?
Në “Divers” në “RTK” kam pasur mundësi të analizoj mbi shumë çështje, duke filluar nga ato të aktualitetit, politikës, drejtësisë, etj. Duhej shumë punë, sepse unë nuk jam “gjitholog” dhe për gjithë atë laramani temash që trajtoheshin, duhej hulumtim i gjërë. Në “Big Brother” komentoj karakteret e njerëzve dhe rrethanat në të cilat ata vendosen, që është më e lehtë, por që kërkon më tepër përqendrim, pasi sjelljet e njerëve ndryshojnë në varësi të mënyrës se si janë rritur dhe rrethanave e ambienteve prej të cilave vijnë. Gjithsesi, të analizoj sjelljet njerëzore në jetën sociale është fahu im, pasi vij nga fusha e sociologjisë.
Kush është favoriti yt në “BBVK”?
Nuk kam një favorit. Disi, më pëlqen totali në këtë edicion dhe them se secili e plotëson tjetrin, duke prodhuar një tablo diverse karakteresh dhe dinamikash.
Në “Big Talk” më mirë me Eliten, apo me Mbresen?
Janë ndryshe në prezantim, karakter dhe çasje, jo vetëm vizive. Për mua është e rëndësishme fryma e bashkëpunimit, që fatmirësisht ka egzistuar dhe egziston.
Kur fiken mikrofonat, dritat, apo kompjuteri, kush është Nderim Neziri?
Të gjitha mund të fiken, por jo edhe kompjuteri ose telefoni. Ose jam duke shkruar ose duke redaktuar. Përtej kësaj, jam shumë i lumtur për çdo moment të jetuar me familjen time dhe miqtë e mirë. Jam njeri që eci me këmbë në tokë dhe nuk fluturoj.


