Ndryshimet kushtetuese sa afër aq larg!

Shkup, 12 prill – Ndryshimet Kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Kanë filluar edhe veprimet e para në këtë drejtim me formimin e komisionit për hartimin e amendamenteve nga  Ministria e Drejtësisë. Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike. Komisioni bojkotohet nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimet e që synohen të miratohen. Opozita shqiptare kërkon që me ndryshimet kushtetuese të largohet edhe 20 përqindëshi për gjuhën shqipe. Ndërkaq, opozita maqedonase kërkon formimin e shtetin nacional, sipas modelit korat, ku RMV të definohet shtet i maqedonasve dhe i pakicave tjera, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët si pakicë, pa çka se janë mbi 30%. Vendi ndodhet përballë një sfide të madhe, ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin, por kundër janë VMRO, e Majta, GROM, dhe BD, duke futur edhe kushtëzimet e partive opozitare shqiptare kuptohet që ndryshimet kushtetuese sa janë afër aq janë larg, shkruan Zhurnal.

Koha për ndryshimet kushtetuese është afruar por gjasat janë larg

Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë edhe hapat e parë për përgatitje për ndryshimet kushtetuese, duke formuar një komision të posaçëm për këtë çështje në kuadër të Ministrisë së drejtësisë. Nga atje thonë që komisioni përbëhet nga një përfaqësues prej dhjetë partive politike dhe nga një përfaqësues nga presidenti i Republikës, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Komisioni bojkotohet nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimet e që synohen të miratohen. Lëvizja Besa kërkon që ndryshimet të përfshijnë edhe zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe, e cila në kushtetutë është e definuar si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut. Të njëjtën e kërkon edhe partia tjetër opozitare shqiptare Alternativa, përfshirë edhe miratimin e një ligji tjetër për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë, opozita maqedonase, e drejtuar nga VMRO DPMNE, ka thënë se do t’i mbështeste këto ndryshime nëse miratohet propozimi i saj bazuar në modelin kroat, përkatësisht definimin e Maqedonisë së Veriut si “shtet nacional të maqedonasve dhe shtet të pakicave tjera etikë që jetojnë në të”.

“Ne nuk do të marrim pjesë në grupin e punës, sepse puna e këtij grupi punues është e pakuptimtë në këtë fazë dhe jam i bindur se kjo përbërje parlamentare nuk do të mund të bëjë ndryshimet kushtetuese. Ato janë të papranueshme në formën dhe kushtet që synohen të arrihen”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Një front i tërë kundër ndryshimeve kushtetuese, a po vështirësohet procesi?

Përderisa nga BDI është krijuar parulla për frontin evropian, nga ana tjetër është krijuar një front i tërë kundër ndryshimeve kushtetuese, përmes të cilave edhe hapet rruga për integrim në Bashkimin Evropian. Këtij fronti kundër ndryshimeve kushtetuese i prinë VMRO-DPMNE në krye me Hristijan Mickovskin, të cilët tashmë kanë dalë edhe me vendim të prerë që janë kundër ndryshimeve kushtetuese, dhe nuk do të lejojnë që asnjë deputet nga radhët e kësaj partie të votojnë për këto ndryshime

Por, nuk është VMRO e vetme në këtë front, pasi me qëndrime pothuajse të njëjta janë edhe nga e Majta në krye me Dimitar Apasiev, të cilët edhe pse në numër janë vetëm dy deputet, janë shprehur kategorikisht kundër ndryshimeve kushtetuese.

Në të njëjtin front është edhe deputeti dhe kryetari i partisë Bashkimi Demokratik, Pavle Trajanov, i cili propozon mbajtjen e referendumit për ndryshimet kushtetuese ose organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Meqenëse janë grupuar më shumë parti politike, LSDM duhet të vlerësojë nëse e kanë mbështetjen e qytetarëve. Kovaçevski duhet të dalë para qytetarëve. Besoj se referendumi apo zgjedhjet janë të nevojshme, por për mua zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë më të pranueshme”, tha Trajanov në Sitel. Ai përsëriti qëndrimin e partisë se nuk do t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues për ndryshime kushtetuese, i cili duhet të fillojë debatin nga mesi i këtij muaji.

Nuk janë këto të vetmit, pasi bashkë me këto të lartëpërmendurit është edhe kryetari i partisë GROM, Stevce Jakimovski, të cilët kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në grupin punues për ndryshime kushtetuese, pas seancës së rregullt të kryesisë së partisë.

“Pas diskutimit të gjerë në të cilin kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë, qëndrimi i GROM-it është që të mos marrë pjesë në punën e këtij grupi sepse nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Ky qëndrim vjen nga korrelacioni mes kushtetutës maqedonase dhe bullgare, ku pakica kombëtare maqedonase nuk ka asnjë të drejtë të garantuar me kushtetutë. Nëse në kushtetutën e tyre nuk ka vend për mbi 200.000 maqedonas në Bullgari, pse duhet të ketë vend në kushtetutën e Maqedonisë vetëm për 3.400 bullgarë të vetëidentifikuar”, thonë nga kjo parti.

Kujtojmë që, të bëhen ndryshimet kushtetuese nevojiten 80 deputetët. Shumica aktuale parlamentare ka vetëm 64, pra i nevojiten edhe 16 deputetë të tjerë, që kjo shpjegon qartazi situatën që pa ndihmën e partive opozitare ndryshimet e tilla nuk do të ndodhin asnjëherë. /Zhurnal.mk