Ndryshimet kushtetuese nuk do të shqyrtohen në seancën e sotme të Qeverisë
Shkup, 20 qershor – Ndryshimet kushtetuese nuk do të shqyrtohen në seancën e sotme të Qeverisë, konfirmoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, edhe pse dje ministri i Drejtësisë Krenar Lloga në deklaratë për mediat tha se me siguri sot Qeveria do ta shqyrtojë Propozim-iniciativën e ndryshimeve kushtetuese.
“Kur t’i rregullojnë shërbimet dhe kur të vijnë në rend dite, atëherë do t’ju informojmë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit pas ngjarjes së organizuar me rastin e 70 vjetorit të Institutit të Gjuhës Maqedonase.
Kovaçevski mohoi se po ushtrohet presion ndaj deputetëve të opozitës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Kjo as që ka ndodhur, as nuk po ndodh, as nuk do të ndodhë më. Ju keni qenë dëshmitar i votimit të propozimit “francez” vitin e kaluar kur deputetët e partisë sime politike ishin të lirë të votonin sipas mendimit të tyre dhe propozimi u miratua me 68 vota pro dhe asnjë votë kundër sepse ata që ishin “kundër” nuk hynë për të votuar, por dolën jashtë. VMRO-DPMNE nuk votoi kundër, ata flasin kundër dhe pastaj ikin që askush nga jashtë të mos i fajësojë sepse retorika që ata kanë në publik dhe në përfaqësitë e huaja është krejtësisht e ndryshme”, tha Kovaçevski.
Mbetet në qëndrimin se platforma për bisedë të përbashkët e dakorduar në takimin e liderëve është bazë e mirë për t’u bërë hapat e ardhshëm.

