Ndryshimet kushtetuese dhe 20%-shi, analistët flasin për Zhurnal
Shkup, 12 qershor – Analistët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë qëndrime të përbashkëta lidhur me rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në preambulë dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE. Mirëpo ekzistojnë nuance dallimi mes tyre kur bëhet fjalë nëse këto ndryshime duhet kushtëzuar me heqjen e “20%-shit” nga Kushtetua dhe zëvendësimin e tij me termin “gjuha shqipe”, ose tani ndryshimet duhet përkrahur për të evituar edhe një veto bullgare, e ndryshimi i 20%-shit të mbetet në një të ardhme tjetër, shkruan zhurnal.mk.
Analisti politik Mersel Bilalli vlerëson se insistimi që tani të ndryshojë “20%” mund të jetë favor të VMRO-DPMNE-së.
“Mendoj se në këtë moment jo, sepse vetëm do i ndihmojnë qëndrimit të VMRO-së që mos i votojë amendamentet”, thotë për Zhurnal analisti dhe profesori universitar, Mersel Bilalli, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ndryshimet kushtetuese duhet të kushtëzohen me heqjen e 20%-shit.
“Kurse ne nuk fitojmë diëka esenciale. Për atë nen nevojitet komplet formulim tjetër me çka duhet ndryshuar edhe disa nene tjera”, shton Bialli, duke sqaruar qëndrimin e tij.
Për dallim prej tij, analisti Selim Iljazi vlerëson se ndryshimi i termit 20% duhet të bëhet tani, paralelisht me ndryshimet e Kushtetutës që kërkon Bullgaria. Ai apelon tek partitë shqiptare në si; e quan “Maqedoninë Veriore”, të bashkohen dhe të shfrytëzojnë këtë shans.
“Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është koha që të hiqet termi 20%. Sot duhet që partitë shqiptare të bashkohen dhe nuk duhet të lëshojnë pe, apo të jepet hapësirë për ndonjë kohë tjetër. Pra partitë shqiptare duhet të jen njëzëri dhe te bashkuar qe ne Kushtetutën e Maqedonisë Veriore njëherë e përgjithmonë të largohet 20%”, thekson Iljazi në deklaratën për Zhurnal.
Bilalli: Pas fillimit të negociatave me BE, duhet të ndryshojë e tërë Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut
Mirëpo Mersel Bilalli konsideron se pasi të kalojnë ndryshimet kushtetuese që nevojiten për fillim të negociatave me BE-në, duhet të fillojë një process edhe më i thellë për formulimin e një Kushtetutë të re. Kjo, sipas tij, imponohet shkaku se Kushtetua aktuale është kundërthënëse dhe jofunksionale.
“Do duhet një ekip profesinistësh që të ofrojë komplet ndryshime të Kushtetutes ekzistuese. Pra, duhet ndryshuar së paku 30 nene. Ose, më mirë thënë e gjithë Kushtetuta duhet të ndërrohet me një të re, sepse ka aq shumë kontradikta dhe mangësi në të dhe brenda saj, saqe një jurist fillestar mund t’i hetojë. Për shembull, presidenti i shtetit nuk duhet të zgjidhet me vota qytetarësh, sepse ne nuk jemi as shtet me sistem presidencial, e as me system gjysëm presidencial. Nëse nuk funksionon merit-sistemi, smund te kemi as institucione, s’ka kualitet, s’ka shtet, s’ka as popull. Ne as këtë s’e kemi. Andaj biseda e 20 për qindëshit është për ata që lajnë kryet me akull”, thekson Bilalli.
Sipas Bilallit, ndryshimet thelbësore kushtetuese janë të domosdoshme edhe për vendosjen e rregullit në gjyqësor, një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë që ka besim minimal tek qytetarët për shkak të vendimeve të shumta skandaloze.
“Te gjykatat, duhet ndërtuar sistemin e “kontrollit trekendësh” ku eleminihet ndikimi qeveritar jo vetëm nga Këshilli Gjyqësor, që është një organ cirku, por edhe nga Këshilli i Prokurorëve që është një organ partiak. Pastaj, Gjykata Kushtetuese.
Aty kanë qenë anëtarë edhe njerëz që as që dinë se ëka është Kushtetuta. Partitë i kanë deleguar. Duhet definuar titullin shkencor dhe botime në revistat ndërkombëtare me impakt faktor të verifikuar, që të merrni pjesë në të. Edhe shume e shume tjera. Kjo gjendje katastrofale që kemi duke na u shpërngulur e gjithë popullsia, është defekt serioz i sistemit dhe Kushtetutës”, thekson Bilalli.
Ndërkombëtarët shtojnë presionin
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut kanë intensifikuar mesazhet drejtuar partive politike, mbi nevojën e mbështetjes së ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues, ashtu sië parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
Për këto ndryshime duhet të votojnë dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.
Zyrtarët maqedonas tani shpresojnë në një trysni më të madhe nga diplomatët perëndimorë për të bindur opozitën që t’i mbështesë këto ndryshime.
Edhe zv/kryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi, ka deklaruar se janë duke u bërë përpjekje që të fillojmë ndryshimet kushtetueseduke shtuar se pas takimit të liderëve të 7 qershorit, gjëja më e mirë që mund të bënin ishte të shprehnin gatishmërinë për t’u larguar nga Qeveria pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

