Ndryshime në Kodin zgjedhor pas zgjedhjeve lokale
Shkup, 15 gusht – Nuk do të ketë ndryshime të reja të Kodit zgjedhor para zgjedhjeve lokale më 17 tetor, edhe pse partitë kohë të gjatë kanë biseduar për to. Këtë sot e deklaroi kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, duke iu referuar bisedës me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Partitë i harmonizojnë qëndrimet, por nuk mund t’i harmonizojnë të gjitha, para së gjithash, siç tha Zaev, për shkak të reagimeve që i ka nga ana e Së Majtes, një pjesë të partive në pushtet dhe një pjesë të atyre opozitare.
“Kryetari i Kuvendit më informoi se me ndryshimet e fundit me gjurmë të gishtave dhe me ndryshimet e OSBE/ODIHR, ligji do të mbetet i tillë siç është, që të mos ketë vërejtje se në ‘pesë në 12’, diçka po bëhet, e me këtë rast kjo do të ishte vetëm pengesë për zgjidhjen ligjore. Zgjidhja ligjore i konfirmon volitshmëritë e listave të pavarura, do të thotë pragu mbetet i njejtë, i jep të gjitha mundësitë e deritanishme të konstituimit të listave të kandidatëve për këshilltarë dhe kryetarë të komunave. E rrit transparencën dhe përgjegjësinë për shkak të rekomandimeve të instaluara nga OSBE/ODIHR, për herë të parë në shtet do të votohet me gjurmë të gishtit, që është garancë për zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe besoj se këtë hap do të vazhdojmë dhe më tej ta bëjmë”, tha Zaev në Krivogashtani.
LSDM-ja javën e ardhëshme më së voni deri më 25 gusht do t’i kumtojë kandidatët për kryetarë të komunave dhe këshilltarë për zgjedhjet lokale.
“LSDM-ja dhe koalicioni në nivel qëndror harxhon mjaft kohë që t’i gjejë kandidatët më të mirë, e dyta, përfaqësimin e barabartë të listave të këshilltarëve, po ashtu që të mundemi më në fund të lëmë mjaft kohë për parashtrimin e listave të këshilltarëve në pajtim me Listën e afateve të KSHZ-së”, tha Zaev.
Lidhur me përkrahjen e kandidatëve të BDI-së dhe partive tjera të shqiptarëve në zgjedhje, ai tha se me BDI-në kanë marrëveshje finale, se do të përkrahen në rrethin e parë apo të dytë, varësisht nga kandidatët.