Ndryshime kushtetuese dhe zgjedhje / plani ideal për Mickovskit për win-win!
Shkup 30 qershor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski së fundmi ka thënë se opsioni i vetëm që është i pranueshëm për partinë e tij, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ky qëndrim i tij vjen pasi e pa se gaboi rëndë me deklaratat e tij pas takimit të liderëve me kryeministrin Kovaçevski. Atëherë ai tha se do të pranonte të votonte ndryshimet kushtetuese dhe të hynte në qeveri, nëse aty nuk do të ishte BDI-ja. Dhe, pasi mori një “dush të ftohtë” politik, me përgjigjen se BDI del nga qeveria nëse votohen ndryshimet kushtetuese, Mickoski ka filluar të vendosë kushtin tjetër që është “zgjedhje të parakohshme parlamentare”, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në mbledhjen e dy kryetarëve më të mëdhenj të partive politike në vend, ku u hap çështja e pjesëmarrjes së përbashkët të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në qeveri, kryeministri Kovaçevski propozoi që të votohet për hapjen e Kushtetutës, pastaj VMRO-DPMNE të hyjë në Qeveri dhe të marrë përsipër pesë nga dhjetë vendet ministrore që ata drejtojnë. Një qeveri e tillë duhet të zbatojë ndryshimet kushtetuese dhe të përfundojë procesin e shqyrtimit me BE-në, por edhe të organizojë zgjedhjet e ardhshme. Ndryshimet kushtetuese, nga ana tjetër, duhet të vlejnë në momentin e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare.
Por, lideri i VMRO-DPMNE-së thotë se pas takimit të liderit me kryeministrin Kovaçevski më 7 qershor, nuk ka dëgjuar se cilën nga dy ofertat që i ka bërë ai, janë të pranueshme për LSDM-në.
Mickoski tha se në vjeshtë duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe deri atëherë të formohet Qeveria e unitetit të gjerë kombëtar pa BDI-në. Humbësi i zgjedhjeve duhet të mbështesë fituesin dhe të kërkojë garanci nga BE-ja për identitetin, gjuhën dhe traditën maqedonase, si dhe një paketë të caktuar ekonomike për biznesin dhe qytetarët për t’u përgatitur për procesin e negociatave.
Por, sa do t’ia arrijë Mickoski të detyrojë pushtetin që të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare!
Deri më tani, të gjithë pushtetarët kanë thënë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse ato nuk do të ndryshojnë asgjë.
Kryeministri Kovaçevski ka përsëritur se ndryshimet kushtetuese janë një proces që nuk duhet të nxitohet, por duhet të kalojë në një debat të gjerë shoqëror, ndërsa në mbledhjen e lidershipit u pranuan të gjitha kërkesat e VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski, prandaj tani duhet t’u lihet hapësirë që ta harmonizojnë atë proces me ata, dhe të mund t’i bashkohen procesit të sjelljes së amendamenteve kushtetuese.
Të gjithë politikanët në Maqedoninë e Veriut e dinë se Konferenca e dytë Ndërqeveritare është pjesë e Kornizës Negociative dhe në momentin që procesi i shqyrtimit përfundon, formulohen raportet dhe caktohet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare pa asnjë vonesë. Deri në kohën e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Hyrja e tyre në fuqi duhet të jetë në ose para ditës së mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, por jo pas ditës së mbajtjes së saj, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë, Bullgaria në të gjitha nivelet e veprimtarisë së saj politike duhet të demonstrojë se përkrah integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Por, është një fakt shumë i rëndësishëm që duhet ta kuptojnë qytetarët se nëse ndryshimet kushtetuese nuk ndodhin tani dhe presin ndryshimin e qeverisë, kjo do të humbasë një hap shumë domethënës në rrugën e anëtarësimit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Nëse politikanët në Maqedoninë e Veriut fillojnë të merren me faktin se sa të rëndësishme janë ndryshimet kushtetuese tani, atëherë vështirë është të binden politikanët dhe qytetarët. Por, duhet të sqarohet saktë se cilat janë përfitimet e BE-së dhe çfarë do të humbasim nëse nuk hyjmë në BE. Përfitimet nuk janë vetëm si ideja e BE-së si një financues i madh i parave, por shumë më tepër se kaq – pranimi i vlerave evropiane është një proces i gjatë, duhet të dini se cilat janë reformat dhe çfarë do të marrim prej BE-së në arsim, bujqësi e jo vetëm. Shumë gjëra duhet të shkruhen konkretisht për atë që fitojmë dhe çfarë humbim. Andaj, gjëja më e rëndësishme për plotësimin e kërkesave si të qeverisë ashtu edhe të opozitës në këtë moment është që të ketë ndryshime kushtetuese dhe pastaj mund të shkohet në zgjedhje, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ky mund të jetë një model i një situate win-win, ku të dyja palët dalin fituese. Edhe VMRO DPMNE-ja arrin qëllimin që të ketë zgjedhje të parakohshme, por edhe partitë në pushtet ia arrijnë qëllimit që të sigurojnë rrugën evropiane të shtetit.
Pastaj në zgjedhje, do të jenë qytetarët që do të vlerësojnë punën e gjithsecilit, qoftë punën e qeverisë që arriti të sigurojë vendin në NATO dhe BE, qoftë punën e opozitës me premtimet e tyre të zakonshme për mbrojtje të “identiteti maqedonas”.
Bashkë me vendimin për ndryshime kushtetuese dhe pastaj mbajtjen e zgjedhjeve, të gjitha partitë duhet të darkordësohen se do të mbështesin në të ardhmen rrugën e anëtarësimit në BE, që nënkupton të plotë për negociatat e ardhme. Negociatat janë të gjata dhe prandaj edhe LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe partitë tjera shqiptare do të duhet publikisht të zotohen se nuk do të pengojnë rrugën e negociatave me BE-në.

