NATO minimizon shanset për përdorim të armëve bërthamore

Bruksel, 6 Nëntor – Kreu i bllokut të NATO-s i minimizoi shanset e përdorimit të armëve bërthamore të Rusisë në Ukrainë duke shtuar se rreziku i ndryshimit të metodës së luftës është i vogël.

Megjithatë Jens Stoltenberg tha se Aleanca i merr shumë seriozisht sinjalet për përdorimin e armëve nukleare për sa kohë që NATO përballet me një lider të papërgjegjshëm si Vladimir Putin.

“Qëndrimi bërthamor i Rusisë nuk ka ndryshuar. Rreziku që Rusia të përdorë armë bërthamore në Ukrainë është i vogël, por pasojat do të jenë të mëdha, kështu që ne e marrim atë shumë seriozisht. Rusia po vepron në mënyrë të papërgjegjshme dhe të pamatur.”

Edhe pse ngurroi të thotë se cili do të ishte reagimi i NATO-s nëse Rusia përdor armë nukleare, Stoltenberg tha se përdorimi i tyre do të ndryshonte natyrën e luftës.

“Nuk do të ketë fitues nga një luftë bërthamore. Përdorimi i tyre do të ndryshonte natyrën e konfliktit.”

Më herët, presidenti Putin tha se Moska nuk e kishte përmendur asnjëherë përdorimin e armëve bërthamor në Ukrainë duke pretenduar se perëndimi po e përforcon tezën se Rusia do të gjuajë armë bërthamore për të prishur reputacionin e Kremlinit te vendet miqësore të saj.