NATO-ja i kërkon Rusisë të ndalojë luftën “menjëherë”

Liderët e NATO-s, që u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë, pas nisjes së pushtimit rus, thanë se po marrin masa për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e aleatëve “në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradë”.

“Ne po rrisim qëndrueshmërinë e shoqërive tona dhe infrastrukturës sonë për të kundërshtuar ndikimin keqdashës të Rusisë”, thotë mes të tjerash deklarata, duke përfshirë edhe forcimin kundër sulmeve kibernetike, raporton BBC, transmeton Zeri.info.

Liderët vlerësuan popullin e Ukrainës, të cilët thonë se kanë “frymëzuar botën me rezistencën heroike ndaj luftës brutale të Rusisë”.

Deklarata vazhdon duke i kërkuar presidentit rus Putin që “të ndalojë menjëherë këtë luftë dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina”.

NATO-ja i bën thirrje Bjellorusisë që “t’i japë fund bashkëfajësisë së saj” në pushtimin rus të Ukrainës.