Natë amerikane në “Verën e Ohrit” me violinistin Shllomo Minc

Violinisti Shllomo Minc do të performojë në kishën “Shën Sofja” në “Verën e Ohrit” në kuadër të natës amerikane në festivalin që po mbahet me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në vend.

Shllomo Minc, siç bënë të ditur nga institucioni nacional “Vera e Ohrit”, është një prej violinistëve më të shquar të kohës sonë për shkak të muzikalitetit të tij të jashtëzakonshëm, diversitetit sitlistik dhe teknikës së përsosur.

I lindur në Moskë, familja e tij emigroi në Izrael kur ai ishte dy vjeç. Ai mësoi violinën me Ilona Feherin, e cila e njoftoi me Isak Shtern, i cili do të bëhej mentori i tij. Ai studioi me Doroti Dillejin në Nju-Jork dhe që në moshë të re bashkëpunoi me yje të mëdhenj si Isak Shtern, Mstislav Rostropoviç, Pinkas Zukerman, Itcak Perlman, Zubin Mehta, Klaudio Abado, Rikardo Muti, Juri Temirkanov, Ida Hendel dhe Ivri Gitlis. Ai performoi me orkestrat më të mira të botës në Berlin, Vjenë, Amsterdam, Çikago, Los Anxhelos, Filadelfia dhe Nju-Jork.

Në moshën 18-vjeçare filloi karrierën paralele të dirigjentit. Ai është një nga themeluesit e kursit të mjeshtërve në Keshet Elion, ku ishte një prej organizatorëve kryesorë më shumë se 18 vjet, ndërsa gjithashtu është bashkëthemelues dhe zëdhënës i projektit “Violinat e shpresës”, i cili përqendrohet në restaurimin dhe ekspozitat internacionale të 45 instrumenteve, të cilat u takonin hebrenjve të cilët i humbën jetët në kampet e përqendrimit në Luftën e Dytë Botërore.