Nagelsmann konfirmon vështirësitë që po ka Bayerni për ta mbajtur Lewandowskin

Bayern Munich është rikthyer te fitoret, teksa ka mposhtur Union Berlinin në Allianz Arena me rezultat 4-0.

Ka qenë një ndeshje ku sulmuesi polak Robert Lewandowski shkëlqeu me dy gola të shënuar.

Por e ardhmja e polakut vazhdon të jetë ende e paqartë, pasi kontrata e tij skadon në verën e vitit 2023 me bavarezët.

Drejtuesit e Bayernit i kanë ofruar kontratë deri në vitin 2025 me pagë prej 24 milionë eurove në sezon, por Lewa po kërkohet edhe nga skuadra tjera të mëdha si Manchester United, Manchester City, PSG e Chelsea.

Për të ardhmen e sulmuesit ka folur edhe trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann duke konfirmuar vështirësitë që po kanë për ta bindur Lewan të vazhdojë kontratën.

“Ne duam ta mbajmë në skuadër, por e dimë që një gjë e tillë nuk do të jetë diçka e lehtë. Nuk kam përshtypjen se do që të largohet, prandaj jam i bindur që do të arrijmë një vendim të përbashkët”.

“Pa diskutim që do të ketë bisedime të tjera mes tij dhe drejtuesve të klubit për të gjetur një marrëveshje”, u shpreh trajneri gjerman.

33-vjeçari është duke kaluar një sezon fantastik, ku në 37 ndeshje zyrtare ka shënuar 45 gola e ka asistuar në katër të tjerë.