Na presin vështirësi të mëdha, Rusia e di humbjen dhe do të shkaktojë dhimbje

Ministri ukrainas i Mbrojtjes paralajmëroi përshkallëzimin e agresionit rus, ndërsa Moska  këmbëngul në politikën e kërcënimeve për përdorimin e armëve bërthamore.

“Na presin javë jashtëzakonisht të vështira”, tha Oleksiy Reznikov në një deklaratë, duke vënë në dukje se sulmet do të intensifikohen në lindje, në rajonin e Donbasit.

“Rusia e di strategjinë e saj të humbjes, por do të vazhdojë të shkaktojë sa më shumë dhimbje të jetë e mundur”, shtoi ai.

Ministri u bëri thirrje gjithashtu ukrainasve të tregojnë forcë dhe unitet pas më shumë se dy muajsh konflikt me Rusinë.

“Fatkeqësisht, ne do të humbim më shumë ushtarë përpara se të fitojmë luftën”, tha ai, duke shtuar se do të ketë më shumë dëme dhe më shumë viktima.

Ai tha se ushtria ruse, ” tashmë e vetëdijshme për strategjinë e saj të humbjes, do të përpiqet të shkaktojë sa më shumë vuajtje të jetë e mundur mbi trupat ukrainase.

Më herët gjatë ditës, ushtria ukrainase pranoi se forcat ruse kishin avancuar në lindje të Ukrainës, duke pushtuar disa zona në rajonin e Kharkiv dhe brenda Donbasit.

Më 18 prill, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi nisjen e një ofensive ruse kundër pjesës lindore të vendit, një pjesë e së cilës ka qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë që nga viti 2014 dhe tani është objektivi kryesor i Moskës.