Murphy zbulon befasitë e hidhura dhe qesharake nga takimi me krerët e Bosnjës
Me shumë shqetësim për krizë të mundshme në Bosnje, janë larguar senatorët amerikanë Chriss Murphy, Thom Tillis e Jeanne Shaheen nga vizita e fundit që i bënë shteteve të Ballkanit. Derisa në Kosovë e Serbi është përcjellë mesazhi për nevojën për dialog si zgjidhje përfundimtare, për takimet me krerët e Bosnjës, Murphy ka zbuluar prapaskena të pazakonta. Ka treguar për befasi të hidhura e për momente në të cilat kanë qeshur me deklarata të liderit serb në Bosnje, Milorad Dodik.
Sarajeva ishte qyteti i dytë, pas Beogradit, që senatorët e vizituan në fund të prillit. Teksa e ka cilësuar si vendin ku më së lehti mund të ndikojë presidenti rus, Vladimir Putin, për të shkaktuar trazira, Murphy ka thënë se lëvizjet e fundit nga Dodiku, që synon ndarje të Bosnjes, i janë përshtatur saktësisht qëllimeve të Putinit.
“Përgatitja jonë për takimin kishte pak rëndësi. Nga fillimi, Dodiku dhe udhëheqësit kroatë e boshnjakë ishin më shumë të interesuar të debatonin me njëri-tjetrin sesa të bënin dialog aktual me ne. Ne u ulëm me gojën hapur teksa ata shprehnin fyerje dhe ankesa, qartësisht me interes vetëm për përkeqësimin e krizës ekzistuese. Ne u përpoqëm t’u shpjegonim se si Amerika ishte përballur me të njëjtat çështje që përballet Bosnja – të dyja shtetet janë multikulturore me shpërndarjen e pushtetit në mes të Qeverisë së fuqishme kombëtare dhe qeverive të fuqishme të shteteve. Por ata as që po na dëgjonin dhe ne ngelëm tejet të shqetësuar për stabilitetin afatshkurtër në këtë shtet të rëndësishëm”, ka shkruar Murphy në një shkrim në uebfaqen e tij në të cilën ka folur për takimet me krerë shtetesh në tri shtetet e Ballkanit.
Murphy ka treguar edhe dy momente kur kanë qeshur për çështjet që lidheshin me Dodikun.“Derisa po përgatiteshim për konferencën për shtyp pas takimit, një zyrtare për media e Ambasadës së SHBA-së na tha se i ka dy çështje të ndjeshme që dëshiron t’i ngrejë para marrjeve të pyetjeve nga shtypi boshnjak. Fillimisht, ajo na paralajmëroi se incizimi ka kapur njërin nga ne teksa përshëndeste Dodikun, që po përballet me sanksionet e SHBA-së, ‘mirë se po ju takojmë, president Dodik’. Ajo ishte e shqetësuar për konotacionin që mund të marrë fjala ‘mirë’ që po e takojmë dikë që është në listën e zezë të SHBA-së. Ne qeshëm dhe i thamë që s’është asgjë për t’u shqetësuar”, ka treguar Murphy.
Ai ka vazhduar se çështja e dytë me të cilin kishin qeshur ishte pretendimi i Dodikut se SHBA-ja e Britania kanë planifikuar kidnapimin e tij dhe mbylljen në një bodrum pa dritare.
“Ne qeshëm – por më pas kuptuam se zyrtarja e ambasadës e kishte shumë seriozisht”, ka thënë ai duke treguar habinë që kishin pasur tre senatorët amerikanë.
Murphy ka bërë të ditur se senatori Tillis e bëri të qartë përgjigjen që do të jepnin të tre nëse u shtrohet ajo pyetje. “Absurde”, ishte përgjigja që u vendos të jepej.
Senatori amerikan ka thënë se nga rajoni janë larguar me shpresën se do të ketë angazhim të SHBA-së për rajonin, por me shqetësimin për krizë të thellë në Bosnje në të ardhmen.