Mungesa e nxënësve vërehet kur hapen shkollat, shifra të trishtueshme!

Shkup, 2 shtator – Sot nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme kthehen në bankat shkollore për të vazhduar mësimin aty ku e kanë lënë muaj më parë. Një pjesë e nxënësve për herë të parë futen në shkolla. E ku jemi pikërisht në këtë ditë vërehet më qartë mungesa e madhe e nxënësve të cilët nuk janë pjesë aktive e procesit arsimor sot. E këta nxënës potencial e fëmijë nuk janë jo se nuk ekzistojnë por pasi prindërit e tyre kanë migruar për arsye nga më të ndryshmet por kryesisht nga pamundësia për të mbijetuar dhe për të pasur një jetë solide në këtë vend, shkruan Zhurnal.

Viti i ri shkollor fillon për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, një numër ky që është ulur për 17 mijë në shtatë vitet e fundit –

Sot fillon vitit i ri shkollor 2024/25 për të gjithë nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm. Sipas të dhënave të MASH-it, viti i ri shkollor do të nisë për 245 mijë nxënës në shkollat fillore dhe të mesme, një numër ky që është ulur për 17 mijë në shtatë vitet e fundit.

“Në të njëjtën periudhë numri i nxënësve të klasës së parë është ulur për rreth 3500. Kjo është shkatërruese dhe zhgënjyese dhe është rezultat i politikave të këqija, jo vetëm në arsim, por në të gjitha segmentet shoqërore”, tha në konferensën e sotme për shtyp ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Ajo paralajmëroi se politikat ekzistuese do t’i zëvendësojnë me të reja dhe progresive, në krijimin e të cilave, siç tha, do të marrin pjesë të gjithë të prekurit. Që ato politika të zbatohen, shtoi, do të sigurohet një konsensus më i gjerë.

Shkollat po zbrazen qytetarët në kërkim të një jete më të mirë –

Vetëm për tre muaj nga 10 shkolla fillore të Gostivarit, 60 nxënës kanë kërkuar fletëshpërngulje për t’u larguar nga vendi, ndërsa 40 nxënës të shkollave të mesme, kanë marrë fletëshpërngulje për arsye të bashkimit familjar jashtë vendit, 95 % e nxënësve janë larguar në Gjermani, ndërsa një pjesë tjetër edhe në shtete tjera.

Në komunën e Zhelinës, nga gjashtë shkollat qendrore dhe 11 shkolla periferike vetëm në këtë tremujor janë çregjistruar 47 nxënës të cilët kryesisht kanë bërë bashkim familjar në Gjermani, Zvicër, Itali dhe një në shtetin e Norvegjisë. Numri total i nxënësve në Komunën e Zhelinës është ulur ndjeshëm dhe tani më kanë mbetur 2407 nxënës, ka raportuar televizioni Alsat.

Trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë nuk po ndalet. Statistikat e këtij viti shkollor janë më të errëta. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit në shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar 1300 nxënës më pak. Prindërit janë ende në kërkim të fletshpërnguljeve për fëmijët e tyre dhe shkak, siç theksojnë në sqarimet e tyre, është migrimi në vendet e Evropës Perëndimore.

“Për fat të keq, trendi i rënies së numrit të nxënësve nuk e tejkalon as Komunën e Tetovës. Vitet e fundit, ka pasur më pak nxënës të regjistruar çdo vit shkollor. Për shembull, këtë vit shkollor në shkollat e mesme janë regjistruar 500 nxënës më pak, në shkollat fillore rreth 800. Në Komunën e Tetovës gjatë gjashtëmujorit të parë janë tërhequr 160 nxënës nga shkollat , ndërsa deri në fund të këtij viti shkollor ky numër pritet të rritet në 250. Rënia e numrit të nxënësve krijon problem edhe për stafin mësimdhënës, një numër i madh mësuesish përballen me humbjen e vendit të punës për shkak të mbylljes së paraleleve. Arsyeja kryesore për gjithë këtë është emigrimi në vendet e huaja”, tha për “Sloboden Peçat”, Milena Vuçevska, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Ikja e qytetarëve shpie në ikje pa kthim, me pasoja të tmerrshme për vendin–

Ikja e qytetarëve nga vendi është një temë që ka filluar dhe nuk po mbaron dot, fundi nuk i dihet mbase po parashihet se kjo temë do të përflitet deri sa të ikë edhe qytetari i fundit. Flasim për një ikje e largim masiv në kushte paqësore, që mbase është krijuar sikurse shprehi e rutinë që po erdhe në moshën madhore duhet të largohesh nga ky vend. Kjo ikje nuk ka të ndalur do të vazhdojë ende, e këtë nuk po e thonë klientët e “çajtoreve” por rezultatet e hulumtimeve mbi këtë temë. Shifër tmerruese ku 42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme. Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe ata me arsim më të lartë – universitet, sipas rezultateve të anketës së Gallup International Association. Kjo flet për realitetin që shihet në terren, ku kjo pakicë që ka mbet për një kohë të shkurtë do të përgjysmohet në masë shumë të madhe.

Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë.

Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk