MSH, Aliu: Propozim-ligji për transplantet publikohet në ENER, mirëpresim sugjerime nga ekspertët, qytetarët
Shkup, 9 prill, medial.mk/ – Në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER), prej sot është publikuar propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i shëndetësisë, Azir Aliu bënë të ditur se publikimi në ENER synon transparencë më të madhe dhe përfshirje të publikut në procesin e hartimit të legjislacionit. Të gjitha palët e interesuara, përfshirë ekspertët dhe qytetarët, mund të japin vërejtje dhe komente lidhur me propozim-ligjin brenda afateve të përcaktuara.
“Nga zbatimi i deritanishëm i ligjit ka dalë nevoja për të bërë ndryshime dhe plotësime në drejtim të zgjerimit të rrethit të personave që mund të jenë dhurues të gjallë të organeve, thjeshtësimit dhe ndryshimit të procedurave administrative, si dhe mundësimit që çdo qytetar, përmes një deklarate te mjeku i tij amë, të përcaktohet si donator potencial i organeve pas vdekjes. Ky është edhe një hap drejt rritjes së vetëdijes publike për rëndësinë e dhurimit të organeve, si akti më i lartë i humanizmit përmes të cilit shpëtohen jetë njerëzish. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, sistemi të jetë më transparent dhe më i besueshëm, ndërsa vendimi personal të rikthehet aty ku i takon – te vetë individi”, thekson ministri Aliu.

