MPPS: Subvencionim i pagave për edhe 438 persona të papunësuar
Shkup, 4 gusht – Edhe 438 persona të tjerë do të përfshihen me masën për subvencionim të pagave përmes Planit operativ të programeve aktive dhe masave për punësim dhe shërbime në tregun e punës. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e fundit, përmes ridedikimit të mjeteve në Planin operativ në shumë prej 100.000.000 denarësh siguroi përfshirje më të madhe të personave të papunë.
“Me këtë lloj të mbështetjes numri i personave të papunë, që do të përfshihen me masën e subvencionimit të pagave, prej 866 do të rritet në 1.304. në këtë mënyrë, përfshirja e përgjithshme e personave të papunë me Planin operativ do të rritet prej 10.279 në 10.717 persona”, theksojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Nga MPPS thonë se me Planin operativ për programe dhe masa aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2021, përcaktohen programet, masat dhe shërbimet për punësim të cilat do të sigurojnë krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e punësimit të personave të papunë, veçanërisht të të rinjve, të papunësuarve në afat të gjatë dhe shfrytëzuesit e ndihmës së garantuar minimale si edhe mbështetjen e personave të papunësuar ndërprerja e marrëdhënies së punës të së cilëve është regjistruar në periudhën e krizës së shkaktuar për shkak të Kovid-19.
Për herë të parë këtë vit, shtojnë nga Ministria, në Planin operativ janë paraparë tri parime, sipas të cilave prioritet u jepet personave të cilët e kanë humbur punën për shkak të pandemisë me Kovid-19, më pas parimi i diversitetit dhe inkluzivitetit dhe parimi i zhvillimit rajonal të barabartë.