MPJ: Fotografimi ishte i papërshtatshëm dhe joevropian

Shkup, 16 shtator – Shkupi do të dërgojë notë protesta dhe pret kërkim faljeje nga Sofjes zyrtare për fotografimin e të dy presidentëve vetëm me flamur të Bullgarisë. Për këtë në Ministrinë për Punë të Jashtme (MPJ) në takim ishte ftuar ambasadori bullgar Zheljazko Radukov. Burime nga Ministria e Jashtme thonë se protokolli i të dy palëve ishte dakorduar për takim pune dhe takim tet-a-tet.

Në takimin e përbashkët për drekë pune kanë qenë flamujt e të dy delegacioneve. Kur Presidentja Siljanovska është ndarë për takimin kokë më kokë me Presidentin Radev, sqarojnë burime nga ministria, pala bullgare ka ndaluar për fotografi, gjë që nuk ka qenë e planifikuar. Se përse protokolli i Radevit ka lëvizur nga ajo që është dakorduar, nga Ministria e Jashtme thonë se është pyetje për to. Sjelljen e tyre e quajnë të papërshtatshme dhe joevropiane.

Nga Ministria thonë se nuk kanë reaguar në atë moment për shkak të respektit për tragjedinë që ka ndodhur atë ditë në Bullgari, rrëzimin e avionit dhe viktimave nga ky aksident, duke shtuar se ka procedura se si reagohet në këto raste dhe thonë se këtë po e bëjnë tani.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Bullgaria ka kaluar vijën e kuqe.

“Për mua është më e rëndësishme që Evropa dhe bota patën mundësi të shohin në skenë të hapur, gjë që e prisnim, se cilat janë qëllimet e vërteta të drejtuesve në Sofje. Synimi i vërtetë nuk është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë. Atje shumë më e madhe është nevoja që të tregojnë muskuj dhe të arrijnë qëllimet e tyre të vërteta”, deklalroi Hrtistijan Mickoski, kryeministër.

LSDM-ja nuk pajtohet me justifikimin e pushtetit. Sipas tyre, delegacioni i përbërë nga presidentja dhe ministri i Jashtëm dhe ai i Kulturës, kanë lejuar të nënçmohet vendi.

“Domethënë e kanë ditur se është nënçmim dhe fshirje dyshemeje me Maqedoninë, por nuk kanë dashur të krijojnë tensione. Atëherë përse vetë i publikuan fotografitë vetëm me flamur bullgar? Kjo sjellje e Mickoskit është e turpshme. E justifikon skandalin në Bullgari me deklarata të turpshme duke e nënçmuar inteligjencën e qytetarëve”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Vizita e të premtes e presidentes Gordana Siljanovska Davkova në Sofje u përcoll me vëmendje dhe u pasua me kritika. Në fotografitë dhe incizimet e asaj dite, Siljanovska dhe Radev shtrëngojnë duart kurse në të dy anët është vetëm flamuri bullgar.

Mes tjerash, burime nga ministria thonë se në takime është biseduar për nevojën e vazhdimit të dialogut dhe tejkalimit të problemit, por jo konkretisht për idenë e ndryshimeve kushtetuese me zbatim të prolonguar. Nga ministria thonë se në takime edhe me vendet anëtare të BE-së por edhe me përfaqësues të institucioneve evropiane, bisedojnë për propozimin e qeverisë së re në Shkup, gjegjësisht, ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar, pas anëtarësimit të plotë në BE. Këtë e quajnë “propozim francez plus” për të cilin thonë se nuk është patjetër të ndryshojë korniza negociuese por vetëm interpretimi i saj, i cili shtojnë se gjithsesi, është politik, dhe jo normë juridike./Alsat/