MPJ bullgare ragoi për ndryshimet ligjore që ndalojnë përdorimin e emrave të lidhur me fashizmin
Sofje, 4 Nëntor – Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë përmes një deklarate shprehu shqetësimin se me ndryshimet ligjore për shoqatat, fondacionet dhe për partitë politike në Maqedoninë e Veriut kufizojnë të drejtën e asociimit të bullgarëve në vend pasi ka interpretim të njëanshëm të fakteve historike.
Bëhet fjalë për ndryshime ligjore që ndalojnë përdorimin e emrave, nofkave, pseudonimeve që kanë lidhje me fashizmin, nazizmin, gjenocidin, Rajhun e Tretë etj., për shoqatat, fondacionet dhe partitë politike në vend, të cilat u votuan dy ditë më parë në Parlament.
“Ekziston shqetësim serioz se ato (amendamentet ligjore) synojnë kufizimin diskriminues të së drejtës së shoqërimit të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, që është për shkak të interpretimit të njëanshëm të fakteve historike. Kërkimi legjitim për të kundërshtuar të gjitha format e ekstremizmit dhe urrejtjes nuk mund të instrumentalizohet për të kufizuar qëllimisht të drejtat e grupeve të caktuara. Kufizime të kësaj natyre ishin vendosur tashmë për bullgarët në Maqedoninë e Veriut në të kaluarën. Me argumente të ngjashme, në vitin 2001 organizata Radko, e cila është pseudonimi i Ivan Mihailov, u ndalua. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) tashmë ka marrë vendim për këtë çështje”, reagoi MPJ bullgare.
Bullgaria konsideron se fakti që do të kërkohet mendim pozitiv nga një organ konsultativ i krijuar në Ministrinë e Drejtësisë për të mundësuar përdorimin e emrit, mbiemrit, nofkës, pseudonimit, shkurtesës ose inicialeve të një figure historike, ngre shqetësimin se në interpretimin e figurave dhe ngjarjeve historik do të jetë dominant interpretimi zyrtar që ka Maqedonia e Veriut.
“Një qasje e tillë shpjegon logjikisht hezitimin për të zhbllokuar punën e komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore”, thotë MPJ bullgare.
Sofja ankohet edhe në atë se ndalimi i komunizmit nuk ishte përfshirë në ndryshimet ligjore.

