Motra e Kim Jong-un i kërkon presidentit të Koresë së Jugut “ta mbyllë gojën”
Motra e fuqishme e liderit Kim Jong Un, Kim Yo Jong, ka refuzuar troç një ofertë të Koresë së Jugut për të ndihmuar në rritjen e ekonomisë së vendit të izoluar, nëse heq dorë nga armët bërthamore.
Komentet e Kim shënojnë herën e parë që një zyrtar i lartë i Koresë së Veriut komenton drejtpërdrejt atë që presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol e ka quajtur një “plan të guximshëm” sipas të cilit Koreja e Jugut do të ofronte ndihmë ekonomike në faza për Phenianin nëse fillon denuklearizimi, raportoi Reuters të premten.
“Do të kishte qenë më e favorshme për imazhin e tij që të mbyllte gojën,” tha Kim Yo Jong në një deklaratë të lëshuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, duke e quajtur Yoon “me të vërtetë të thjeshtë dhe ende fëmijëror” në pretendimet e tij se ai mund të tregtonte bashkëpunimin ekonomik për Korenë e Veriut.
Ekspertët thonë se plani ekonomik i Yoon i bën jehonë propozimeve të presidentëve të mëparshëm të Koresë së Jugut, përfshirë gjatë samiteve të dështuara të 2018 dhe 2019 midis presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump dhe Kim Jong Un, derisa thonë se kishte pak mundësi që Pheniani ta pranonte atë.
Ministri i Unifikimit të Koresë së Jugut, Këon Young-se shprehu “keqardhje të thellë” në parlament për komentet e Kim Yo Jong, duke e përshkruar kritikën e saj ndaj Yoon si “shumë mosrespektuese dhe të pahijshme”.
Koreja e Veriut investon një pjesë të madhe të Bruto Produktit të Brendshëm (GDP) në programet e armëve dhe prej kohësh e ka bërë të qartë se e sheh aftësinë e saj bërthamore si vetëmbrojtje dhe të nevojshme për të mbrojtur veten përballë politikave “armiqësore” nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia.

