MotoGP, Francesco Bagnaia fiton pole position në Le Mans, përpara Marc Marquez dhe Bezzecchit
Ducati zyrtar shkëlqen në provat kualifikuese të Cmimit të Madh të Le Mans në Botërorin e MotoGP. Francesco Bagnaia ishte ai piloti më i shpejtë teksa e përshkoi pistën franceze me kohën 1 minuta, 29 sekonda dhe 634 të mijtat.
Menjëherë pas tij në vendin e dytë, u pozicionua kampioni i botës në fuqi dhe shoku i skuadrës së italianit, Marc Marquez me vetëm 12 të mijtat më shumë.
Ai që plotëson vijën e parë të startit të garës është kryesuesi aktual i kampionatit, Marco Bezzecchi që me Aprilian e tij i mbylli provat kualifikuese me vetëm 23 të mijtat më shumë se Bagnaia, për të cilin bëhet fjalë për pole positionin e tij të parë që nga gara e Malajzisë në vitin e kaluar.
Në vijën e dytë të startit janë Fabio Di Giannantonio me një kohë 65 të mijtat më të lartë, Pedro Acosta në vendin e 5 dhe Fabio Quartararo në të 6. Klasifikimi i kualifikueseve vijon me Joan Mir, Jorge Martin dhe Ai Ogura, ndërsa Alex Marquez do të jetë në vijën e 4-t të startit së bashku me Johan Zarco dhe Alex Rins.

