Mospajtimet për një njësi zgjedhore çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme!

Shkup, 23 mars – Presioni nga partitë më të vogla solli fryte – debati për propozimin për ndryshimet në kodin zgjedhor filloi, por si do të përfundojë? Pas një viti pasi është dorëzuar në Kuvend (5 mars 2021), Komisioni për Sistem Politik dhe Marrdhënie mes Komuniteteve, dje në fazë të parë e mbështeti propozimin e partive më të vogla për zgjedhjen e deputetëve sipas modelit proporcional, pa prag zgjedhor, me çka shteti do të kishte vetëm një njësi zgjedhore, transmeton Zhurnal nga DW.

Ky propozim tërhoqi vëmendjen e dy palëve në spektrin politik, pasi deputetë nga partitë më të vogla në koalicion (LD, PLD, RDM, VMRO-PP dhe PDT) në janar sivjet e miratuan mbështetjen e qeverisë së re të Kovaçevskit, me kërkesën në afat prej tre muajve të sillen ndryshimet të kodit zgjedhor. Ai e vendosi Qeverinë nën presion prej brenda, në kohë kur opozita në vazhdimësi kërkon zgjedhje të parakohshme.

Pasi të përfundojë kjo kërkesë, do të varet nga fakti nëse do të sigurohet konsensus mes të gjitha partive, por si duket se edhe nëse nuk sigurohet, partitë e vogla të cilat janë pjesë e koalicionit qeveritar tani nuk do ta kenë të vështirë të tërhiqen nga mbështetja e Qeverisë, përshkak momentit aktual. Këtë që para disa ditëve e kumtoi lideri i LD-së, Pavle Trajanov, i cili është njëri prej nënshkruesve i propozimit për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

“Nëse përsëri bëjnë truqe, hapi i fundit do të jetë të heqim dorë nga mbështetja e Qeverisë dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Këtë nuk do ta bëjmë derisa zgjatë kriza në Ukrainë”, tha Trajanov për “Sloboden Peçat” javën e kaluar.

DW ka pyetur Trajanov, si do të veprojnë nëse kriza e luftës përfundon, e propozimi i tyre ende nuk është miratuar, gjegjësisht nuk ka konsensus?

“Ne propozuesit do të përfshihemi në debat dhe me argumente do të tentojmë të ndërtojmë një konsensus më të gjerë. Por nëse dikush nga partitë e bllokojnë me amandamente, atëherë ne partitë tjera që jemi për ndryshime, do të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët, por propozimi do të jetë – zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kuptohet, vetëm nëse ka kushte për këtë, para se gjithash lufta në Ukrainë të mbarojë dhetë kemi një gjendje stabile të sigurisë dhe politike, si dhe garanca për zgjedhje fer dhe demokratike. Në këtë rast, do të propozojmë të shpërbëhet Kuvendi dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por jemi kundër formimit të ndonjë shumice të re parlamentare”, tha Trajanov për DW.

Dallimi në vota

Ndërkohë partitë e vogla përmes debatit publik do të testojnë të mëdhenjtë – nëse ato do të mbështesin idenë për një njësi zgjedhore me të cilën duhet të eliminojnë monopolin dhe përparësitë sistematike për katër partitë më të mëdha, të cilat tani rezultojnë me hedhjen në kosh mbeturinash votat e partive të vogla dhe sjellë deri te ajo që çdo deputet të mos ketë peshën e njejtë. Në të kaluarën kishte raste kur një parti ka fituar nga 30 mijë vota por nuk ka marë asnjë deputet, sepse votat janë ndarë në disa njësi zgjedhore, dhe nuk janë koncentruar në një njësi. Kur baza do të ishte të ketë një njësi, partitë e vogla konsiderojnë se do të kishte më tepër shanse. Trajanov sqaroi çfarë pabarazi procedojnë zgjedhjet me gjashtë njësi zgjedhore.

“Në njësinë e gjashtë zgjedhore, përpos në zgjedhjet e fundit, deri tani nevojiteshin rreth 6300 deri 6700 vota për një deputet, ndërsa në njësinë e tretë nevojiteshin nga 9500 deri 10000 vota. Njëzet deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore zgjedhen me 60000 ose 70000 vota më pak, në krahasim me deputetët e njësisë së tretë, katër apo ndonjë njësi tjetër zgjedhore”, tha ai.

Trajanov konsideron se nëse shumica apo më tepër se dy të tretat mbështesin idenë e tyre, nuk do të ketë asnjë pengesë ky projekt ligjor të kalojë, sepse mbi 90 deputetë kanë dhënë mbështetje për një njësi zgjedhore.

Por, sipas BDI-së, zgjidhja nuk është te numrat, por te konsensusi mes të gjitha partive. Vjollca Ademi nga BDI, dje ka potencuar se për këtë ligj të rëndësishëm, nevojitet konsensus më të gjerë brenda partiak dhe ndëretnik.

“Nuk mund të lejojmë të bëhet majorizim i një apo tjetër partie politike. Ne jemi të hapur për negociata, por duhet të kemi debat më të gjerë me argumente”, tha Ademi.

Ndryshime nuk bëhen me mbivotim.

Dje edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi se këto ndryshime nuk mund të ndodhin me mbivotim ose kushtëzim.

“Çdo ndryshim i kodit zgjedhor duhet të bëhet me konsensus. Askujt nuk i shërben nëse shkohet me principin e mbivotimit apo kushtëzimit. Kjo është ultimatum. Kuvendi nuk guxon të punojë nën ultimatum, duhet të ketë konsensus”, tha Xhaferi në MTV.

Ai konsideron se problemi nuk është te sistemi zgjedhor.

“Pse nuk dalin vet partitë politike dhe të maten kush sa ka peshë. Nuk është problemi në gjashtë njësitë zgjehdore. Problemi është te mbështetja. Një koalicion, e dyta, e treta, dhe në fund del se për një vit shkatërrohen të gjitha koalicionet”, tha Xhaferi.

Sipas tij, duhet të udhëhiqet debat që të dëgjohen argumentet e të gjithëve.

“Konsensusi nuk do të thotë gjithkush të fitojë gjithçka, konsensusi është që të gjithë të lëshojnë pe për diçka, përndryshe gjithçka tjetër do të ishte ultimatum ose diktat”, tha Xhaferi.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare në princip e mbështesin këtë propozim ligj dhe thonë se duhet të vazhdojë diskutimi që të dëgjohen të gjithë veprimtarët në shoqëri. Nga LSDM rikujtojnë se e kanë promovuar modelin zgjedhor me një njësi që në programin në vitin 2016, por thonë se deri te ndryshimi arrihet përmes një konsensusi më të gjerë. Deputeti Halil Snopçe nga ASH edhe një herë përsëriti qëndrimin e tyre se duhet tetë njësi zgjedhore dhe jo një apo gjashtë./Zhurnal.mk