Moska: Kina ka të drejtë të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe integritetit territorial
Rusia kumtoi se Kina ka të drejtë t’i ndërmarrë “masat e domosdoshme për mbrojtjen e sovranitetit të vet”, duke e potencuar si “provokim të qartë” vizitën e kryetares së Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Nensi Pelosi në Tajvan.
“Pala kineze ka të drejtë t’i ndërmarrë masat e domosdoshme për mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe integritetit territorial lidhur me problemin me Tajvanin”, kumtoi Ministria ruse e Punëve të Jashtme.
MPJ-ja ruse në të njëjtën kohë i bëri thirrje Uashingtonit “të përmbahet nga veprime që e minojnë stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare dhe ta njohë realitetin e ri gjeopolitik në të cilin më nuk ka vend për hegjemoninë amerikane”.
Paraprakisht mbrëmë zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov, tha se vizita i nxitë “tensionet në rritje” në rajon dhe e akuzoi Uashingtonin se e ka zgjedhur “rrugën e konfliktit”.
“Dëshirojmë edhe njëherë të potencojmë se jemi plotësisht solidarë me Kinën, sjelljen e saj lidhur me problemin dhe është e kuptueshme dhe tërësisht e arsyeshme”, tha ai.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, MariaZaharova tha se “Uashingtoni është duke bërë destabilizim në botë, asnjë konflikt i zgjidhur ndër dekada, ndërsa shumë përplasje të nxitura”.
Pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm të Kinës, Pelosi mbrëmë mbërriti në Tajvan, që është vizita e parë e një funksionari të lartë amerikan në ishull në 25 vitet e fundit.
Pekini paralajmëroi se ardhjen e saj do ta konsiderojë si provokim të madh. Armata kineze kumtoi se “do të ngritë një seri aksionesh ushtarake si përgjigje” e kësaj vizite.

