Moska dëbon konsullen norvegjeze për “deklarata rusofobe”
Rusia sot ka kërkuar nga diplomatja norvegjeze Elizabet Elingsen ta lëshojë vendin për shkak të “deklaratave rusofobe”, e në lidhje me një zënkë më 6 korrik, kur gjatë një debati në recepsionin e hotelit, ajo bërtiti se i urren rusët.
“Prania e saj në territorin e Rusisë është e pamundur pas asaj që ndodhi”, ka deklaruar zëdhënësja ruse e Ministrisë së Jashtme, Marija Zaharova.
Ambasadori norvegjez në Moskë sot është thirrur në MPJ ruse, ku ka marrë një protestë “të ashpër” për shkak të sjelljes së papranueshme të Elingsen, e cila i ka lejuar vetes të bëjë deklarata rusofobe dhe fyese.
Ministria norvegjeze e Punëve të Jashtme konfirmoi se ambasadori i tyre në Moskë është thirrur për intervistë dhe se Elengsenit i ishte pezulluar viza.
“Në takim, ambasadori e përsëriti kërkimfaljen e Oslos dhe theksoi se fjalët e bashkëpunëtores nuk pasqyrojnë politikën norvegjeze dhe qëndrimet e Oslos ndaj Rusisë dhe rusëve”, tha zëdhënësja e MPJ-së norvegjeze. Ajo shtoi se konsullja norvegjeze aktualisht nuk ndodhet në Rusi, pa dhënë detaje të tjera.
Skandali u zbulua javën e kaluar kur në rrjetet sociale u përhap një pamje nga një kamerë vëzhgimi e një hoteli në Murmansk, ku Elizabett Ellingsen po kryente detyra konsullore. Ajo thotë në recepsionin e hotelit “I urrej rusët…më jepni një dhomë…jam mësuar në dhoma të pastërta, vij nga Skandinavia”.
Sipas Oslos, Konsullata e përgjithshme e Norvegjisë në Murmansk është mbyllur përkohësisht që nga 1 korriku për shkak të situatës “së vështirë” në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.
Rusia dhe Perëndimi aktualisht po kalojnë një periudhë të paprecedentë tensioni për shkak të ofensivës ruse në Ukrainë, e cila ka bërë që Evropa dhe SHBA të vendosin një sërë sanksionesh kundër Moskës.

