Mos harmonizimi pagave trazon sindikalistët!
Shkup, 20 prill – Nga muaji mars paga minimale në Maqedoninë e Veriut shënoi rritje për 2 mijë e 175 denarë(rreth 35 euro). Ndërsa, pensionet janë rritur për njëmijë denarë(rreth 15 euro). Por, njëkohësisht Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë rritjes së pagës së 700 zyrtarëve të lartë të shtetit, për 78 për qind. E ndaj kësaj nuk kanë qëndruar duarkryq sindikalistët në Maqedoninë e Veriut, të cilët theksojnë se rritja e pagës për rreth 35 euro, për 80 mijë të punësuar në sektorin publik, që paraqet gjysmën e numrit të të punësuarve në Maqedoninë e Veriut, nuk është kurrfarë ndihmese për të shtruar një sofër festive gjatë festave të këtij muaji, atë të Pashkëve dhe Bajramit. Prandaj, sindikalistet kërkojnë që të ketë harmonizim të rritjes së pagave dhe jo rritje diskriminuese, pra përderisa për punëtorët rriten pagat me vlera shumë të ulëta jo më shumë se 15%, për zyrtarët rritje prej 78%. Kjo sigurisht që shkakton edhe pakënaqësi te qytetarët, pasi vazhdimisht thuhet që vendi është në krizë, ndërkaq nga ana tjetër flitet për rritje marramendëse të pagave të zyrtareve. Mes tjerash qytetarët janë nën mëshirën e ngrirjes dhe uljes së çmimeve të produkteve bazë, vetëm për të pasur më të lehtë përballjen me luftën për mbijetesë, shkruan Zhurnal.
Duhet të bëhet rritje proporcionale e pagave –
Gjykata Kushtetuese më 23 mars mori vendim, me të cilin shfuqizoi dy nene nga Ligji për paga dhe kompensime të funksionarëve, kjo i hapi rrugë rritjes së pagave të rreth 700 zyrtarëve të lartë të shtetit, për 78 për qind. Duke qenë se vendimi u mor më 21 mars dhe hyri në fuqi dy ditë më vonë, zyrtarët e lartë të shtetit morën pagë më të lartë për vetëm 8 ditët e fundit të muajit mars.
Nga muaji i ardhshëm, kur paga e zyrtarëve do të llogaritet me koeficient të rritur, deputetët të cilët deri më tani merrnin rreth 60 mijë denarë (rreth 1000 euro), do të marrin plus 46.800 denarë, me çka paga e tyre do të arrijë në 1.750 euro. Sindikalistët thonë se nuk është aspak korrekte që paga e zyrtarëve të lartë të shtetit të pësojë rritje prej 78 për qind në kohë krize, ndërkohë që qytetarët, edhe ata të cilët janë të punësuar, mbeten në kufijtë e varfërisë.
Tërpe Deanovski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve, për REL thotë se tavolina gjatë festave për pjesën më të madhe të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbetet jashtëzakonisht e varfër. “Dy paga e gjysmë minimale nuk mjaftojnë për të plotësuar shportën e konsumatorit, për të siguruar produktet bazë për një familje katër anëtaresh, me kusht që ajo të ketë veturë”, thekson Deanovski.
Ai shton se zyrtarët e lartë të shtetit me një pagë të tyren mund të mbulojnë shpenzimet e 2.5 familjeve në vend. Përderisa, me dy paga minimale një familje katër anëtarësh e ka të pamundur të mbush shportën sindikale.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, megjithëse ka kujtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të gjejë mekanizma që pagat e funksionarëve t’i mbajë në nivelin e njëjtë përmes uljes së koeficienteve ose të bazës.
Si përgjigjen nga Qeveria për këtë ndryshim të ligjit nga Kushtetuesja?
Ndërkohë, zyrtarët e lartë të shtetit kanë dalë me qëndrime të ndryshme për sa i përket rritjes së pagës së tyre. Një pjesë kanë dalë pro-vendimit me arsyetimin se burimi i vetëm i pasurisë për politikanët duhet të jetë paga dhe ajo duhet t’i plotësojë nevojat e tyre. Ndërsa, pjesa tjetër kanë theksuar se do të heqin dorë nga rritja e pagës pasi vendi ndodhet në kushte krize.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, autoritetet zyrtare bënë të ditur se mund të korrigjohen koeficientët dhe të mos ketë paga kaq të larta, por tani për tani nuk ka asgjë konkrete se kur do të ndodhë ky korrigjim.
Nga Qeveria kanë theksuar se zgjidhja do të kërkohet në ligjin e ri të pagave, por për miratimin e tij nuk është caktuar ndonjë afat kohor.
“Theksojmë se ‘ngrirja’ e deritanishme e bazës ishte në fakt qëndrim qeveritar gjatë periudhës së kaluar dhe nga ana e Qeverisë i njëjti është mbrojtur si qëndrim para Gjykatës Kushtetuese, ndërsa me vendim të Kushtetueses i njëjti në praktikë shfuqizohet. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në kuadër të autorizimeve të saja ka dhënë mendim negativ për nismën për ndryshimin e neneve nga Ligji për paga dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në Gjykatën Kushtetuese me të cilën e konfirmon qëndrimin e Qeverisë se zgjidhja ligjore për pagat nuk duhet të ndryshohet. Kështu që, qëllimi i Qeverisë ishte dhe ende është i qartë, e ai është punë e paguar në mënyrë korrekte dhe të drejtë për të gjithë faktorët në shoqëri”, bëjnë të ditur nga Qeveria për MIA.
Megjithatë, ajo që është e rëndësishme të theksohet në këtë situatë kur flitet për një rritje të mundshme të pagave për zyrtarët me 78%, kjo mbase nuk ka ndodhë asgjë ende por është vetëm fazë testuese se si po pritet në opinion. Por, një veprim i tillë do të kishte qenë skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.
Vendimi për rritjen pagave të zyrtarëve të shtetit do të bëhet për rreth 700 zyrtarë, përfshirë presidentin e shtetit, kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave, drejtues të institucioneve shtetërore etj. Ata tani do të marrin paga më të larta për shuma nga 800 deri në 1500 euro. /Zhurnal.mk

