Monumenti më i madh fetar në botë: Qyteti i tempujve që u mbijetoi luftërave dhe diktaturës

Monumenti më i madh fetar në botë i ka mbijetuar sundimit të Pol Potit mizor, ose ndoshta duhet pranuar, që as njeriu që kreu gjenocid në Kamboxhia nuk guxoi të rrënonte Angkor Wat-in!

Kompleksi më i madh dhe më i rëndësishëm i tempullit, Angkor Wat, ndodhet rreth 250 kilometra në veri të kryeqytetit Phnom Penh.

Tempulli i qytetit është një kompleks i madh i tempujve në Kamboxhia, i njohur si tempulli më i madh, gjegjësisht godina më e madhe fetare në botë.

Angkor Wat është ndërtuar nga mbreti i Mbretërisë Khmere, Suryavarmani i II-të në shekullin e 12-të, mbretëria e të cilit përfaqësonte një prej qytetërimeve më të rëndësishme në Azinë Juglindore.

Tempulli fillimisht i ishte dedikuar Perëndisë Vishnu, që do të thotë se ishte një tempull hindu, mirëpo gjatë shekujve 14 dhe 15 ai u shndërrua në tempull budist dhe si i tillë ka mbetur deri në ditët e sotme.

I tërë tempulli mbulon një sipërfaqe prej 2 kilometra katrorë. Muri i jashtëm i tij është i gjatë 1025 metra, gjerësia 805 metra, ndërsa lartësia 4,5 metra, ndërsa përreth tij gjenden 30 m fushë e hapur, e kufizuar me një kanal të gjerë 190 metra.

Në mes gjenden pesë kulla, të cilat përfaqësojnë pesë male. Kulla më e lartë (65 metra) është ajo në mes të tempullit.

Ky tempull që është bërë simbol zyrtar i Kamboxhias, e madje gjendet edhe në flamurin e këtij vendi, është një nga pikat kryesore turistike që vizitohet nga më shumë se gjysmë milioni turistë çdo vit.

Që nga viti 1992, Angkor Wat është e futur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.