Moldavia, mes lidhjeve me Rusinë dhe përpjekjeve për anëtarësim në BE 

Popullsia e Moldavisë është e ndarë lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës. Ish-republika e vogël sovjetike, e cila ka disa rajone me një shumicë popullsie rusisht-folëse, është shumë e ekspozuar ndaj ndikimit rus, gjë që përcillet që nga propaganda televizive e Kremlinit e deri tek altarët e kishave. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Moldova njofton nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishinau.

Si çdo të dielë, besimtarët mbushin Katedralen e Shën Gjon Pagëzorit në Comrat, qyteti kryesor në rajonin e Gagauzisë në Moldavinë jugore.

Predikimi në rusisht bëhet nga priftërinj që i përkasin Kishës Ortodokse Ruse – e njohur gjithashtu si Patriarkana e Moskës. Është një nga shumë lidhjet që Rusia ka me këtë ish-Republikë Sovjetike.

“Moldavia ishte pjesë e Bashkimit Sovketik dhe perandorisë ruse, dhe gjatë gjithë kohës kjo ka qenë një tokë sllave, ruse. Kjo është arsyeja pse, si kisha në Ukrainë apo Bjellorusi, ne i detyrohemi Patriarkanës së Moskës”, i thotë Zërit të Amerikës At Vasili, një prift ortodoks rus.

Ndikimi i Moskës në shoqërinë moldave është i fortë dhe feja, ashtu si edhe gjuha, janë elementët më të rëndësishëm, – thonë historianët.

“Në një periudhë dhjetëvjeçare pas fundit të Bashkimit Sovjetik, pothuajse të gjitha kishat që ishin mbyllur u restauruan. Nga dy, u bënë 32. Përveç kësaj, sot ka më shumë kisha ortodokse që veprojnë në territorin e Gagauzisë, sesa përpara Bashkimit Sovjetik”, thotë për Zërin e Amerikës historiani Vitali Voikov, i Qendrës Studimore “Marya Vasilievna Marunevich” në Kishinau.

Katedralja kryesore e këtij rajoni autonom moldav ndodhet në rrugën Lenin, pikërisht pranë një prej monumenteve të paktë të udhëheqësit komunist sovjetik që mund të gjendet ende në vend.

Ky rajon, me autonomi të gjerë, ka qenë i lidhur me politikat e Kremlinit që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në 1991. Dhe që kur Moldavia bëri një kthesë politike në vitin 2020 drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndasitë politike janë bërë më të spikatura.

Përgjigjia e Moskës ka qenë një rritje dramatike e çmimeve të gazit për Moldavinë – duke shkaktuar një rritje të mprehtë të kostos së jetesës, veçanërisht për klasën e mesme.

“Për momentin, gjithçka është shumë e shtrenjtë: gazi, energjia elektrike, ushqimi për kafshët. Ne nuk e dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja, si do të mbijetojmë. Është shumë e vështirë për njerëzit”, thotë Veronika që shet pula dhe vezë në një treg lokal.

Autoritetet moldave janë në gatishmëri që kur filloi agresioni rus ndaj Ukrainës. Menjëherë pas fillimit të sulmit, Moldavia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian – një veprim i parë si një mënyrë për të shmangur çdo pretendim të mundshëm ndaj kësaj republike të vogël.

Por në një vend të ndarë mes Rusisë dhe Perëndimit dhe pa një forcë ushtarake efektive, Moldavia mund të bëhet lehtaz pre e ekspansionizmit të Moskës.