“Miss Polonia” shpallet më e bukura e botës

Karolina Bielawska e Polonisë u kurorëzua “Miss World”, teksa garueset dhe organizatorët shprehën solidaritetin me ukrainasit gjatë një nderimi në skenë në finalen televizive.

Bielawska, e cila punon si modele dhe po studion për një diplomë master, pranoi titullin në kryeqytetin e Puerto Ricos, San Juan, tre muaj pasi konkursi u vonua për shkak të një shpërthimi COVID-19.

Miss SHBA, Shree Saini, u shpall e dyta, ndërsa Olivia Yace nga Bregu i Fildishtë zuri vendin e tretë.

Foto: Getty Images

Gjatë ceremonisë u shfaqën mesazhe mbështetjeje për Ukrainën pas pushtimit të paprovokuar të vendit, i cili është në kufi me Poloninë.

Në një segment, Toni-Ann Singh nga Xhamajka, e cila fitoi “Miss World” në 2019, këndoi një interpretim të “The Prayer” të Celine Dion dhe Andrea Bocelli ndërsa ata në skenë dhe në audiencë mbanin qirinj lart.

Fjalët “një lutje për paqe” u shfaqën në ekran pas finalistëve, ndërsa llogaria zyrtare e “Miss World” në Twitter shkroi se performanca ishte pjesë e përpjekjeve të konkursit për të “përkrahur Ukrainën”, shkruan CNN.

Organizatorët thanë gjithashtu se më shumë se 7000 qirinj ishin përgatitur për shfaqjen, e cila u transmetua në mbi 100 vende.

Foto: Getty Images

“Ne duhet të bëjmë diçka, edhe nëse mund të duket e pamjaftueshme për të ndezur një qiri, nëse të gjithë ndezim një qiri së bashku, mund të ndryshojmë botë”, tha në një deklaratë të publikuar para konkursit, CEO i Miss World Ltd., Julia Morley.

Ajo tutje ftoi njerëzit në mbarë botën të “shndritin dritën e tyre për Ukrainën” dhe të postojnë imazhe në mediat sociale.

Në fillim të kësaj jave, organizatorët e “Miss World” publikuan një video mesazh nga “Miss Ukraina” e vitit 2016, Oleksandra Kucherenko.

Në një sfond virtual të pamjeve nga konflikti, ajo u bëri thirrje vendeve në mbarë botën “të na mbështesin, të mbyllin qiellin mbi Ukrainë dhe të shpëtojnë botën nga një katastrofë bërthamore. Paqja jonë është paqja juaj”.

Foto: Getty Images

“Miss Ukraina” aktuale, Oleksandra Yaremchuk, e cila nuk u kualifikua për eventin final, ndodhet aktualisht në Kiev, thanë organizata.

Fillimisht i planifikuar për në dhjetor, konkursi “Miss World” u shty pasi shumë njerëz të lidhur me ngjarjen – duke përfshirë 23 nga 97 konkurrentët – rezultuan pozitiv për COVID-19.

Vetëm 40 gjysmëfinalistët u ftuan për ngjarjen e riorganizuar të së mërkurës, e cila u drejtua nga këngëtari dhe personazhi televiziv anglez, Peter Andre dhe këngëtari dhe aktori meksikan, Fernando Allende. 

Foto: Getty Images