Ministria e Mbrojtjes: Rasti me zgjebën tek ushtarët profesionistë nuk e ka origjinën nga kazermat në Veles, apelojmë të mos manipulohet opinioni
Shkup, 9 shkurt – Lidhur me rastin e fundit të ushtarëve profesionistë të sëmurë nga sëmundja infektuese zgjebë (scabies), nga ministria e Mbrojtjes informojnë se sëmundja nuk ka origjinën nga kazerma “Alekso Demnievski Bauman” në Veles, siç po i paraqitet opinionit. Ministria gjithashtu apelon që të mos keqpërdoret një rast individual, për të cilin thuhet se nuk është infektuar në kazermë, për të manipuluar opinionin, gjë që gjithashtu shkakton dëm të drejtpërdrejtë në reputacionin e Armatës.
Nga ministria shpjegojnë se zgjebja mund të fitohet vetëm nëpërmjet kontaktit me një person të infektuar më parë ose nëpërmjet çarçafëve, peshqirëve etj., të cilat më parë i ka përdorur një person i infektuar. Ata theksojnë se para pritjes së ushtarëve profesionistë në kazermën “Alekso Demnievski Bauman” në Veles, është kryer një rregullim i plotë i hapësirave ku janë të vendosur ushtarët, përkatësisht është kryer një dezinfektim i plotë i hapësirave dhe janë siguruar çarçafë dhe batanije të pastra dhe të lara.
Siç theksojnë në kumtesën, ndërkohë nga Armata dhe Qendra mjekësore-ushtarake në përputhje me protokollet shëndetësore janë ndëmarrë masa për parandalimin e mëtejshëm të mundshëm të kësaj sëmundjeje infektive.
“Nga departamenti për Mbrojtje Parandaluese i Qendrës Mjekësore-Ushtarake është kryer mbikëqyrje epidemiologjike nga ekspertë, janë dhënë mendime dhe udhëzime e rekomandime të mëtejshme. Të gjithë ushtarët që kanë qenë në kontakt me personat e infektuar janë dërguar për ekzaminime parandaluese. Gjatë fundjavës, është kryer ndërrimi i plotë i çarçafëve në dhomat ku janë vendosur ushtarët, janë dezinfektuar të gjitha dhomat e gjumit, janë dezinfektuar batanijet, jastëkët dhe dyshekët dhe janë larë çarçafët. Të gjithë ushtarët janë informuar për simptomat që mund të shfaqen si pasojë e kësaj sëmundjeje, janë dhënë rekomandime që nëse vërehen ndryshime në lëkurë, duhet menjëherë të raportojnë dhe të konsultohen me një mjek”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

