Ministri Sali u takua me zëvendës-ambasadorin e SHBA-së, Mejer dhe me ambasadorin e Shqipërisë, Reka
Shkup, 2 shkurt – Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali në profilin e tij në Fejsbuk njoftoi se sot është takuar me zëvendës-ambasadorin e SHBA-së, Erik Mejer në të cilin i e ka falënderuar për kontributin e vazhdueshëm në përforcimin e sistemit tonë shëndetësor, si dhe për ndihmën dhe mbështetjen vetëmohuese që nga fillimi i krizës.
“Ndihma e përgjithshme e Qeverisë Amerikane për vendin tonë është mbi 9 milionë dollarë amerikanë, kjo në funksion të përballjes me pandeminë Covid-19, duke mbështetur dhe forcuar laboratorin në ISHP, rindërtimin e objekteve shëndetësore dhe fondet me të cilat USAID-i do ta mbështesë OBSH-në për ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve, si dhe për gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave të sistemit shëndetësor gjatë pandemisë, në mënyrë që të sigurohet mbulim më i madh dhe dorëzim i sigurt i vaksinave kundër Covid-19”, shkroi Sali.
Takimi i sotëm, siç theksohet, synon fuqizimin e mëtejmë dhe paraqet një hap tjetër përpara në përmirësimin e sistemit tonë shëndetësor.
Sali njoftoi se sot është takuar edhe me ambasadorin e Shqipërisë në shtet, Fatos Reka dhe se një pjesë të temave në takim kanë qenë përforcimi i bashkëpunimit rajonal në shëndetësinë publike, zbatimi i politikave globale dhe evropiane si dhe zbatimi i qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të KB-së.
“Bashkë ramë dakord për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në disa segmente të sistemit shëndetësor, shkëmbimin e ndërsjellë të përvojave dhe ndjekjen e trendeve moderne në shëndetësisë. E falënderova Ambasadorin për vizitën dhe konkluduam që takimet e këtilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk ministri Sali.

