Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali për vizitë pune në UT
Tetovë, 11 shkurt – Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i shoqëruar nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Amir Elezi dhe deputeti i Kuvendit të RMV-së Hysni Ismaili, sot realizuan një vizitë pune në Universitetin e Tetovës, ku u pritën nga rektori Prof. Dr. Reshat Qahili.
Në takim të pranishëm ishin edhe prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Sekretari i përgjithshëm Jur. Dipl. Adem Beadini, prodekani për Shkencë i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. Dr. Sahmedin Sali, si dhe profesori i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Faton Shabani.
“Në këtë takim pune u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Klinik të Tetovës. Kjo ishte vizita e parë e ministrit Bekim Sali që e realizon në një institucion të arsimit të lartë në vend, ndaj dhe u theksua roli dhe rëndësia e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, gjatë procesit të vaksinimit, ku studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit tonë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komunën e Tetovës u përfshinë në procesin e vaksinimit të qytetarëve kundër përhapjes së pandemisë në rajonin e Pollogut”, thuhet në kumtesën e UT-së.
Në fokus të këtij takimi, thuhet në kumtesë, ishin edhe realizimi i projekteve kapitale në infrastrukturë, projekteve të ndryshme kërkimore-shkencore, mbështetja e kuadrove universitarë në projektet e tyre hulumtuese, mbështetja e studentëve përmes bursave, me theks të veçantë e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë si dhe shqyrtimi i formave të tjera të bashkëpunimit.
Në mbyllje të këtij takimi, palët ranë dakord që takime të tilla të zhvillohen edhe në të ardhmen, me qëllim të realizimit objektivave të përbashkëta institucionale.

