Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Të paguash naftën dhe gazin në rubla, do të thotë të ndihmosh rusët të vrasin ukrainasit

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shkruar në profilin e tij në Twitter, ku u ka bërë thirrjeve vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që të refuzojnë të përfshihen në kërkesat e presidentit Vladimir Putin, i cili po kërkon që nafta dhe gazi rus të paguhen në rubla.
“Nëse ndonjëri prej vendeve anëtare të BE-së i nënshtrohet kërkesave poshtëruese të Putinit për të bërë pagesën e gazit dhe naftës ruse në rubla, do të ishte sikur të ndihmonin Ukrainën me njërën dorë dhe me tjetrën të ndihmojnë rusët të vrasin ukrainasit. I bëj thirrje vendeve të bëjnë zgjedhjen e përgjegjshme dhe të zgjuar”, tha Kuleba.
Gjatë një interviste dhënë mbrëmë për Economist, Kuleba tha se, “Ajo çfarë kemi parë në fillim të luftës ishte rritja e fuqisë së Bashkimit Evropian që mund të sjellë ndryshim. Por ajo çfarë po shoh në dhjetë ditët e fundit, Bashkimi Evropian po i kthehet normalitetit dhe nuk po mund të vendosë për veprime më të fuqishme që janë më konkrete”.
Ndryshe sot presidenti amerikan Joe Biden do të merr pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel, ku do të diskutojë për situatën në Ukrainë, që ka hyrë në 30-ditëshin e luftimeve të ashpra mes ushtrisë ukrainase dhe asaj ruse.