Micotakis: Greqia është e gatshme ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në këto kohë të vështira

Athinë, 13 shtator – Kryeministri grek Kirjakos Micotakis në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski ka theksuar se Greqia është e gatshme ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në këto kohë të vështira dhe mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe përforcim të lidhjes, informojnë nga kabineti i Micotakisit, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas informacioneve të njëjta, dy liderët e kanë konfirmuar vullnetin e tyre për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa theksi ishte vendosur në krizën energjetike.

“Dy liderët biseduan për perspektivat e bashkëpunimit në shumë nivele në sferën energjetike, veçanërisht në infrastrukturë, si dhe për nevojën për diversifikimin e burimeve energjetike dhe përforcim të lidhjes. Kryeministri theksoi se Greqia mund të kontribuojë në këtë drejtim për shkak të infrastrukturave të cilat zhvillohen në hartën energjetike dhe pozicionin e saj në interes të sigurisë energjetike në rajon, duke theksuar në këtë mënyrë rolin drejtues në Evropën Juglindore”, informojnë nga kabineti i Micotakis.

Gjithashtu, Micotakis e ka uruar Kovaçevskin për thirrjen e para pak kohe të Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe e ka konfirmuar mbështetjen e Greqisë për rrugën e anëtarësimit të vendit “në bazë të kritereve të vendosura, respektimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zbatimin dinjitoz të Marrëveshjes së Prespës, si pjesë e procesit të anëtarësimit”.

Micotakis në fillim të takimit theksoi se sot kanë shumë punë për të cilat do të bisedojnë, e përsëriti mbështetjen greke për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por edhe sa i përket krizës energjetike.

“Do të doja të përsëris se Greqia është e gatshme ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në këto kohë aq të vështira. Dhe besoj se është në interes të ndërsjellë realizimi i investimeve të kompanive greke në Maqedoninë e Veriut me qëllim që t’i lidhim infrastrukturat tona në atë mënyrë që do të shkaktojë rritjen e lidhjeve energjetike mes dy vendeve tona”, porositi kryeministri grek në dialogun në fillim të takimit me Kovaçevskin.

Kryeministri Kovaçevski tha se “jemi shumë të përgatitur për dimrin, por interes të veçantë për ne kanë lidhjet e ngushta me Greqinë, veçanërisht sa i përket furnizimit me materiale, prodhimtari të energjisë elektrike që të vazhdojnë të punojnë në dimër dhe në pranverë”.

“Gjithashtu, për të vazhduar investimet e suksesshme greke në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në sektorin e energjisë. Ju e dini dhe njerëzit tanë e dinë që ne kemi marrë tashmë vendimin për të marrë pjesë në projektin për terminalin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Aleksandropoli. Në të njëjtën kohë po zhvillohen studime për ndërlidhjen me Greqinë, gjë që do t’i japë vendit tim mundësinë të diversifikojë burimet e energjisë. Përveç kësaj, kapacitetet e reja energjetike për të mbuluar nevojat e ardhshme të Maqedonisë së Veriut janë mbështetur në masë shumë të madhe nga investitorët grekë. Dhe siç e shohim tani, investimet me vlerë një miliard në sektorin e energjisë janë duke u përgatitur. Prandaj, si dy shtete fqinje, besoj se mund të jemi shembull i marrëdhënieve të mira fqinjësore, jo vetëm në rajon, por edhe në mbarë Evropën”, theksoi kryeministri Kovaçevski në fillim të takimit me homologun e tij grek në Athinë.