Mickovski si duket nuk ka ndërmend të dorëzohet para “lojërave të rrezikshme” të BDI-së, si Gruevski në vitin 2008?!

Shkup, 7 qershor – Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski u tërhoqi vërejtjen funksionarëve të caktuar të BDI-së, që sipas tij, po luajnë lojë të rrezikshme, duke tentuar që bisedimet për formimin e qeverisë t’i zbresin në një nivel të garave numerike dhe etnike. Ai tha se këta individë, e bëjnë këtë lojë prej vitesh, por VMRO nuk do të lejojë as retorikë e as veprimtari të tillë.

“I shoh deklaratat etnocentrike që cilat vijnë nga disa persona zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Në atë mënyrë shohin që sërish të imponojnë provokime etnike në bashkëjetesën në Maqedoni, me faktin që këto bisedime për formimin e qeverisë së re dhe institucioneve të zbriten në çështje se sa kanë fituar shqiptarët, maqedonasit, serbët, vllehët dhe të tjerët. E ndjek me kujdes këtë lojë shumë të rrezikshme, të individëve të cilët, e kanë luajtur këtë lojë në 7 vitet e kaluara. Dhe nëse ashtu vazhdojnë, shumë shpejtë sot, e vërteta do të dalë në shesh”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Deklaratat e Mickoskit besohet se ndërlidhet me paralajmërimin paksa militant të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili paralajmëroi fillimin e “betejës” për të mos lejuar majorizimin gjatë formimit të qeverisë, shkruan Zhurnal. Poashtu, qëndrimi i Mickovskit duket se është një lloj përgjigje e dilemave që janë mjaftë prezente në opinionion se a do të mundet Ali Ahmeti ta detyron Mickovskin të përfshijë BDI-në në Qeveri, siç e detyroi Nikolla Gruevskin në vitin 2008? Mickovski nuk tregon asnjë shenjë se ka ndërmend të “gjunjëzohet”, siç shpreheshin zakonisht në BDI.

Gjatë pranimit të mandatit për formimin e qeverisë së re ai dukej mjaft kategorik në qëllimet e veta për të formuar qeveri me VLEN dhe me ZNAM, duke premtuar se do të krijohet një një qeveri e re, e denjë për zgjidhjet dhe vendimmarrjet cilësore.

“Nuk dua që këto bisedime të jenë numra dhe të shihen numerikisht. Bisedimet që kemi pasur me partnerët VLEN dhe partia politike ZNAM. Para se gjithash dua që ai të jetë proces, i cili do të ishte vlerë e shtuar, proces i zgjidhjeve dhe vendimeve cilësore. Dhe mendoj se është i tillë”, tha të enjten Mickoski.

As partitë që janë pjesë e koalicionit VLEN nuk po tregojnë ndonjë sinjal se janë të shqetësuara nga mundësia që BDI të përsërisë vitin 2008, kur duke u rikthyer në Qeevri u forcua edhe më shumë, duke i siguruar vetes vazhdim 16 vjeçar të një qeverisje komote, pa brenga, deri në 8 majin e këtij viti.

Liderët e VLEN-it gjatë tërë kohës ia bëjnë me dije BDI-së se ka ardhur koha të shkon në opozitë, kurse Arben Taravari u ka dërguar edhe porosi që të mos luten për në qeveri, shkruan Zhurnal.

E që VLEN-it nuk po i “trembet qerpiku”, tregon pjesa e deklaratës së Taravarit ku akuzoi se BDI janë shndërruar në “lypsarë postesh”.

“BDI-ja po vazhdon të eci në rrugë të mbrapshtë. Po lutet që ta marrin në Qeveri dhe sado e refuzojnë ajo sërish dërgon negotiator që janë shndërruar në lypsarë postesh”, ka shkruar Arben Taravari nga VLEN.

Deri sa BDI po bëhet gati të fillojë “betejën”, VLEN ka finalizuar negociatat me VMRO-DPMNE-në për qeverinë e ardhshme, duke u caktuar edhe 90 për qindëshi i pozitave që do të kenë nga eshaloni i parë deri te eshaloni i tretë.

Izet Mexhiti nga koalicioni “VLEN” këtë e ka konfirmuar mbrëmë për “TV 24”, duke thënë se “pritet të shtrëngojnë duart me mandatarin Hristijan Mickoski”.

“Negociatat janë drejt fundit dhe koalicioni “VLEN” do të mbyllë negociatat për formimin e qeverisë me VMRO-DPMNE-në. Parimet e qeverisë së re janë vendosur, programet janë harmonizuar dhe jemi drejt fundit të skalionit të tretë.

Jemi duke analizuar se kush ku do të jetë nga koalicioni dhe shihet se Kasami po kthehet si kryetar i Komunës së Tetovës, vlerësuam se Gashi është më me përvojë si kryetar i Kuvendit. Taravari me shumë gjasa do të jetë ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, ekziston dilema se a do të ketë zgjedhje të parakohshme lokale dhe kjo do të jetë shumë për buxhetin e shtetit dhe për qytetarët e Gostivarit”, tha Mexhiti./Zhurnal