Mickovski kërkon takim liderësh, ja çka deklaroi Pendarovski javën e kaluar në këtë temë për “Zhurnal”! (Video)

Shkup, 24 gusht – Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski bëri thirrje për një takim liderësh për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai përsëriti se partia nuk do të ndryshojë qëndrimin për ndryshimet kushtetuese dhe nuk do t’i nënshtrohet asaj që ai e përshkroi si një fushatë torture dhe presioni. Sipas tij, tortura organizohet nga Qeveria, e cila gjithashtu kërkoi nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që të torturojnë VMRO-DPMNE-në në mënyrë që të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës. Mickoski tha se deri më tani partia kishte ofruar zgjidhje, si ajo me kushtetutën sipas modelit kroat dhe ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë, por tani nuk ka asgjë për të biseduar me qeverinë përveç zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk ka asgjë më shumë në tryezë, por ka vetëm një gjë, takim liderësh rreth datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në atë takim liderësh t’i dakordojmë detajet e ndryshimeve legjislative. Jemi të gatshëm për zgjedhje të shpejta parlamentare pa qeveri teknike. Kjo është gjithçka që është në tryezë tani. Kushdo që dëshiron ta diskutojë këtë çështje me ne është i mirëpritur. Gjithçka tjetër, VMRO-DPMNE aktualisht e konsideron si pjesë të kësaj fushate të torturës dhe presionit,” tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Në intervistën e javës së kaluar për Zhurnal, presidenti Pendarovski tha se nuk ka ndërmend të thirrë takim liderësh, së paku jo në bazë të informacioneve që kishte deri në ato momente.
“Qëndrimin tim për takimin e liderëve e kam thënë. Por çdo herë kur thërret takim liderësh, patjetër duhet të kesh supozim sado të vogël për sukses relativ të atij takimi. Nuk është puna vetëm t’i thërrasësh dhe të thuash i thirra dhjetë herë dhe nuk ka efekt.
Deri tani nuk kam pranuar kurrfarë sinjali, asnjë, nga opozita se janë të gatshëm të bisedojnë për ndonjë pako, në bazë të së cilës do e ndryshonin qëndrimin dhe se nuk do të presin fillimisht të vijnë në pushtet, e pastaj të mendojnë për sigurimin e dy të tretave”, deklaroi të premten e kaluar Pendarovski për Zhurnal.

Nëse kërkesa e sotme e kryetarit të VMRO-DPMNE-së ka ndryshuar këtë qëndrim të presidentit Pendarovski pritet të shihet. Duhet pasur parasysh se takime liderësh kohën e fundit organizohen edhe pa iniciativë të presidentit të shtetit. /Zhurnal

https://fb.watch/mD97qWOMg_/