Mickovski: Do ta mbështesim kandidaturën e Danella Arsovskës për kryetare të ardhshme të Shkupit

Shkup, 29 gusht – Komiteti Ekzekutiv dhe Qendror i VMRO-DPMNE-së solli vendim që ta mbështesë kryetaren e ardhshme të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, deklaroi sot kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski para selisë së partisë.

Ai theksoi se Qyteti i Shkupit po përjeton stagnim dhe nuk po zhvillohet, theksoi problemet e shkupjanëve, të projekteve kapitale të cilat, siç tha, nuk janë realizuar. Sipas tij, Shkupit i nevojitet menaxher i aftë dhe i përgatitur, personalitet i cili do t’i bashkojë më të aftit dhe më kompetentët dhe do të garantojë zhvillimin e tij. Potencoi se Arsovska ka biografi impozante, suksese të njohura në biznes, grua e cila e kryeson Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

“Fuqishëm jam i bindur se e kemi kryetarin e ardhshëm të Shkupit. Të bashkohemi të gjithë, të gjithë banorët e Shkupit rreth gruas e cila do ta krijojë zhvillimin e ardhshëm të Shkupit”, theksoi Mickovski. Ai është i bindur se Arsovska do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Mickovski tha se Arsovska ka parashtruar program, vizion dhe strategji te VMRO-DPMNE-ja dhe shtoi se kanë biseduar për të ardhmen e Shkupit gjatë katër viteve të ardhshme. Potencoi se partia ka sjellë vendim njëzëri që ta mbështesë Arsovskën. Mickovski shtoi se ata nuk e kanë kandiduar Arsovskën, por shkupjanet me nënshkrimet e grumbulluara.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së njoftoi se sot kanë marrë vendim për edhe 10 kryetarë të tjerë, të cilët gjatë ditës së nesërme do të kumtohen në konferencë për media.

“Aty ku VMRO-DPMNE do të kandidojë për kryetar komune, ne presim mbështetje nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe nga Alternativa në komunat e Shkupit Butel, Gazi Babë dhe disa komuna të tjera në të gjithë Maqedoninë”, tha Mickoski. Ai shtoi se VMRO-DPMNE do të mbështesë kandidatët për kryetarë të ASH-së dhe Alternativës në Çair, Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër.