Mickoski me urim me rastin e 11 Tetorit

Shkup, 11 tetor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot i uroi qytetarët me rastin e Ditës së kryengritjes popullore.

Në urimin ai thekson se dita e sotme është një nga datat më të ndritura të historisë së Maqedonisë sepse nënkupton fillimin e kryengritjes çlirimtare dhe antifashiste të popullit maqedonas të kurorëzuar me KAÇKM-në dhe themelin e shtetësisë maqedonase.

“Kjo është trashëgimia jonë e shenjtë antifashiste në të cilën të gjithë qytetarët e Maqedonisë duhet të krenohen, sepse qëndruan në anën e duhur të historisë dhe në atë mënyrë e kanë përmbushur aspiratën shekullore të mijëra heronjve të tjerë të njohur dhe të panjohur për një Maqedoni të lirë”, thuhet në urim.

Festa e sotme, thotë Mickoski, është dëshmia më e mirë se ideali për Maqedoninë dhe patriotizmin është arma më e fuqishme e një njeriu.