Mickoski: Inflacioni po qetësohet dhe është në nivelin 3 për qind, tregtarët po i ulin marzhet maksimalisht sa munden
Kamenica e Maqedonisë, 28 gusht – Niveli i inflacionit në dy muajt e fundit është qetësuar dhe është në nivelin prej 3 për qind, deklaroi sot në Kamenicë të Maqedonisë kryeministri Hristijan Mickoski.
“Megjithatë, duhet të jetë edhe më e ulët. Do të doja të kishim deflacion, në vend që të kishim inflacion, por fatkeqësisht nga ai nivel i lartë i numrave dyshifrorë 15, 16, 17 për qind, këta dy muaj arritëm të stabilizonim rënien e lirë të shtetit dhe të institucioneve dhe çfarë mundem të them nga informacionet që kam është se niveli aktual i inflacionit është këtu, tha Mickoski, i cili u përgjigj në pyetjen për reagimet e qytetarëve se kanë vërejtur rritje të çmimeve të produkteve nëpër supermarkete.
Kryeministri vlerëson se çmimet e produkteve ushqimore duhet të jenë më të ulëta dhe apelon tek tregtarët që të ulin sa më shumë marzhet.
“Ne jemi ekonomi tregu, tregu dikton çmimet. Nëse shkojmë në një politikë kufizimi, e keni parë se çfarë rezultatesh na ka dhënë ajo politikë – na ka dhënë efektet e kundërta nga ato që prisnim. Prandaj, politika e kësaj qeverie është të mbështesë investimet dhe për këtë arsye nuk është politikë e kësaj qeverie të mbajë konsum publik të rritur dhe të fryrë artificialisht, sepse paraja kështu humbet vlerën dhe e njëjta shumë parash humbet vlerën e saj pas një muaji dhe denominon, do të thoja për rreth dhjetë për qind”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ajo që ata filluan si Qeveri në dy muajt e fundit ishte ndalimi i rënies së lirë, stabilizimi i sistemit dhe institucioneve.
“Mendoj se ky proces do të zgjasë deri në fillim të vjeshtës, dhe deri në fund të vitit, meqenëse jemi ende duke punuar në një buxhet, kuadri i të cilit është krijuar nga qeveria e kaluar, pres që të arrijmë një gjendje zero, kurse tashmë me buxhetin e ardhshëm për vitin e ardhshëm të fillojë zhvillimi dhe përparimi”, tha Mickoski.
Kryeministri Mickoski, i cili sot mori pjesë në shënimin e festës së minatorëve në Probishtip dhe Kamenicë të Maqedonisë, shtoi se në dy muajt e fundit zyrtarët e sapoemëruar kanë punuar me ndershmëri në institucione.
“E di se me sa energji hyjnë personat e sapoemëruar të cilët e kanë nderin nga qytetarët që t’i udhëheqin ato institucione dhe kjo më fut një dozë të madhe optimizmi”, tha Mickoski.