Mexhiti në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik: Qeveria ka siguruar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit të UNT-së, ky është investim për gjeneratat e reja
Shkup, 1 tetor – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin Nënë Tereza në Shkup.
Në këtë solemnitet Mexhiti konfirmoi se Qeveria ka siguruar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nënë Tereza”. Tha se ky nuk është vetëm një investim për të ndërtuar godina, por është një investim për gjeneratat e reja.
“Në vitin 1996, ish kryeministri britanik Ton Bler kishte proklamuar tre prioritete kryesore të Qeverisë së tij: I pari- arsimi, i dyti- arsimi, dhe i treti- arsimi! Fuqia e kësaj deklarate që u bë një maksimë politike nuk do koment të veçantë, por meriton çdo respekt nga pikëpamja e vizionit të një burrështetasi për t’ia dhënë arsimit vendin e merituar në shtet dhe shoqëri. Sepse në çdo shtet të zhvilluar, edhe suksesi ekonomik, edhe kohezioni social varen pikërisht nga arsimi. Dhe prandaj, një ndër tri prioritetet themelore edhe të Qeverisë sonë është pikërisht arsimi. Sot, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, kam kënaqësi të veçantë që pikërisht në këtë solemnitet të konfirmoj se Qeveria ka siguruar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar ‘Nënë Tereza’. Ky nuk është vetëm një investim për të ndërtuar godina. Ky është një investim për gjeneratat e reja, për të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që do të jenë konkurrues me moshatarët e tyre kudo nëpër Evropë dhe nëpër institucionet e korporatat e mëdha ndërkombëtare, banka, organizata politike, media, shoqata bamirëse”, është shprehur Mexhiti.
Ai më tej ka shtuar: “Por, vetëm infrastruktura nuk mjafton. Vetëm investimi i Qeverisë nuk bën ndryshim. Është detyrë e secilit prej jush që të studioni, të hulumtoni, të thelloni dituritë e të përsosni aftësitë tuaja sa më shumë, që kokëlartë e me dinjitet të përballoni sfidat të cilat ju presin si qytetarë akademikë të këtij vendi”.
Mexhiti porositi të gjithë ata politikanë që po sfidojnë themelet e ndërtimit të shoqërisë tonë se koha e shovinizmit ka kaluar.
“Si një student i viteve kur shqiptari diskriminohej e i privoheshin të drejtat gjuhësore, kulturore e identitare në atdheun e vet, dëshiroj të them se jam krenar që kohërat kanë ndryshuar. Dhe me këtë rast, më lejoni të porosis të gjithë ata politikanë maqedonas që po sfidojnë themelet e ndërtimit të shoqërisë tonë se koha e shovinizmit ka kaluar! Askund në botë nuk ndodh që të abrogohen të drejtat e fituara dhe kjo nuk do të ndodhë as në Maqedoninë e Veriut. E në rast se ndodhë, ne jemi këtu për t’i siguruar të gjithë se do ta marrin përgjigjen e merituar!”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti fjalimin e tij e përmbylli me thirrjen latine drejtuar studentëve: ‘SAPERE AUDE!’ – GUXONI TË MENDONI, GUXONI TË REZONONI, GUXONI TË DINI. “Se dija është ilaçi më i mirë dhe përgjigja më e qëlluar ndaj çdo tendence shoviniste e fashiste për ta shtypur një popull”, tha Mexhiti.