Merz bën thirrje për unitet evropian në përvjetorin e luftës në Ukrainë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka bërë thirrje për unitet evropian në përvjetorin e katërt të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke thënë se vetëm forca kolektive mund t’i japë fund luftës.
“Për katër vjet, çdo ditë dhe çdo natë ka qenë një makth për popullin e Ukrainës. Dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë ne. Sepse lufta është rikthyer në Evropë”, shkroi Merz në X.
“Vetëm me forcë të përbashkët do ta përfundojmë atë. Fati i Ukrainës është fati ynë”, shtoi ai.
Në kuadër të përvjetorit të katërt të luftës në Ukrainë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të organizojnë një videokonferencë të “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup prej mbi 30 vendesh që kanë premtuar mbështetje të fortë për Ukrainën.
Zyrtarë të lartë të BE-së të mbledhur në Kiev synojnë gjithashtu t’i bashkohen konferencës.
Në Gjermani, presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe ministri i Jashtëm Johann Wadephul do të përkujtojnë luftën dhe mijëra viktima, në një meshë për paqen në Katedralen Franceze në Berlin.
Në mbrëmje pritet të mbahet një tubim solidariteti për Ukrainën pranë Portës së Brandenburgut, ndërsa aktivitete të ngjashme do të zhvillohen edhe në Bremen, Shtutgart, Mynih dhe Këln.

