Medenica mbetet në paraburgim

Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, mbetet në paraburgim, pas refuzimit të ankesës nga Dhoma Penale e Gjykatës së Lartë, e cila u mbajt të premten në Podgoricë, ka konfirmuar avokati i saj mbrojtës, Zdravko Begoviç.

“Sipas vendimeve të gjyqtarit, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në paraburgim në Spuzh. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë, për të mos ndikuar te dëshmitarët në rast të lirimit të tyre,” tha avokati Begoviç.

Ish kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, është arrestuar nga policia të dielën dhe akuzohet për dy vepra penale.

Medenica është ndaluar në aeroportin e Podgoricës nën dyshimet për krijim të organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm.

Arrestimi i saj vjen pasi mediat publikuan transkriptet e mesazheve të shkëmbyera mes djalit të saj, Milosh Medenica, dhe oficerit të policisë Darko Laloviq, në të cilat ata organizonin blerjen e kokainës dhe cigareve kontrabandë në portin e Tivarit. Në transkriptet e bisedave në aplikacionin e koduar të mesazheve, Milosh Medenica pretendonte se nëna e tij ishte në dijeni të biznesit të tyre të paligjshëm dhe se ata mund të presin mbrojtjen e saj.

Pas arrestimit të saj të dielën, ish-kryetarja e Gjykatës Supreme u shtrua në spital pasi është ndier keq. Pasi u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale Shtetërore, asaj i është caktuar masa e mbajtjes deri në 72 orë. Zonja Medenica ka mohuar kryerjen e veprave për të cilat akuzohet.

I pyetur lidhur me arrestimin e Vesna Medenicës, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka thënë se “nuk e komenton, sepse duhet t’u lejohet institucioneve të kryejnë punën e tyre”. Ministria e Drejtësisë së Malit të Zi ka thënë të hënën se “arrestimi i Medenicës ishte një sinjal pozitiv për luftën e vendit kundër korrupsionit të nivelit të lartë”.

Zonja Medenica ishte në krye të Gjykatës Supreme të Malit të Zi për 17 vjet, deri në dorëheqjen e saj në fund të vitit 2020.