Me zbatimin konsekuent të Ligjit për drejtësi të fëmijëve deri te reduktimi i delikuencës
Shkup, 7 mars – Fëmijëria është periudhë në të cilën fëmijët duhet të rriten dhe të vendosin themel të shëndetshëm mbi të cilin do të ndërtohet karakteri i tyre si njerëz të rritur. Fatkeqësisht, ka individë që kanë pasur fëmijëri të vështirë, që shumë lehtë transformohet në delikuencë, e cila nga ana tjetër shpesh përkufizohet si sëmundje sociale, meqë ata fëmijë nuk jetojnë në përputhje me normat morale dhe pozitive dhe për shkak të kësaj, shumë shpesh gjenden janë në konflikt me ligjin.
Ligji për drejtësinë e fëmijëve përfshin mundësi të ndryshme për parandalim, rehabilitim si dhe për shfrytëzim të shërbimeve për ndihmë dhe mbështetje dhe masa për mbrojtjen e fëmijëve. Ai në “gamën” e tij të gjerë të mundësive, për fëmijët në konflikt me ligjin, përfshin edhe ndërmjetësimin që ka për qëllim përmes dialogut, fëmija të kuptojë se çfarë ka bërë, si është ndjerë viktima gjatë veprës dhe pas saj. Të kuptojë se me veprimin e vet ka lënduar ndjenjat e huaja, trupin apo pronën e të tjerëve, të dëgjojë vuajtjet e viktimës dhe pasojat që ka pësuar. Sigurisht, efekti përfundimtar është një ndjenjë ngushëllimi me viktimën, rishqyrtimi i sjelljes personale dhe gjetjen e arsyeve që kanë sjellë deri te ngjarja dhe risocializimi i saj.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës fëmijërore – KSHPDF, në praktikën e prokurorive publike dhe gjykatave, ndërmjetësimi ndaj fëmijëve është zbatuar në një numër shumë të vogël të rasteve.
Të dhënat nga Raporti vjetor i Këshillit shtetëror, të siguruara sipas treguesit me të cilin matet numri i fëmijëve të udhëzuar në procedurën e ndërmjetësimit, tregojnë se gjykatat në vitet 2020 dhe 2018 nuk kanë udhëzuar asnjë fëmijë në ndërmjetësim, ndërsa në vitin 2019 janë udhëzuar katër fëmijë.
Për dallim nga gjykatat, prokuroritë publike në vitin 2020 kanë udhëzuar në ndërmjetësim 11 fëmijë, nëntë nga PP Tetovë dhe dy nga PP Strumicë dhe te të gjithë fëmijët ka qenë i suksesshëm. Në vitin 2019 janë udhëzuar gjithashtu 11 fëmijë, por ndërmjetësimi ka përfunduar me sukses te shtatë fëmijë, ndërsa në vitin 2018 nga tre fëmijë të udhëzuar, ndërmjetësimi i suksesshëm ka përfunduar vetëm tek një fëmijë.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror, profesoresha Gordana Lazhetiq, theksoi për MIA-n se Këshilli, së bashku me disa institucione relevante, dy vite më parë ka nënshkruar marrëveshjen për jetësimin e ndërmjetësimit dhe shfrytëzimin e mundësive të tij.
“Me qëllim të jetësimit të tij në vitin 2020, u nënshkrua Memorandum trepalësh për bashkëpunim mes Këshillit të Shtetit, Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik dhe Odës së ndërmjetësuesve, me qëllim të përpilimit të kurrikulës dhe programit për trajnimin e ndërmjetësuesve për fëmijë, trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve
për përparësitë dhe përfitimet e ndërmjetësimit dhe formave të tjera restaurues të veprimit”, sqaroi Lazhetiqi.
Në përputhje me strukturën e Raportit vjetor dhe treguesve të përkufizuar, Këshilli shtetëror i mbledh, krahason dhe ndjekë të dhënat e marra nga MPB-ja, qendrat e mbrojtjes sociale, prokuroritë publike dhe nga gjykatat.
Të dhënat në vitin 2020 shënojnë rënie të delikuencës fëmijërore, e sipas Lazhetiq, kjo kryesisht është kështu për shkak të pandemisë, me ç’rast për shkak të lëvizjes së kufizuar janë reduktuar mundësitë për kryerjen e veprave penale.
“Por nuk do të ishim reale nëse përjashtojmë ekzistencën e një numri të madh të errët të veprave penale të padenoncuara ose të pazbuluara. Prandaj është e nevojshme të ndiqen normat nga viti në vit dhe tendencat në periudhë më të gjatë kohore në mënyrë që të nxirren konkluzione relevante”, sqaron ajo.
Megjithatë, të dhënat e MIA-s tregojnë se ka madje 87 aktgjykime për të mitur nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, për shkak të “mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë pandemisë”.
Në vend, masën e udhëzimit në Shtëpinë EP e vuajnë fëmijë të dënuar për vrasje, drogë, vjedhje…
Në mesin e masave që u shqiptohen fëmijëve në konflikt me ligjin, janë masat edukuese “qortim” ose “udhëzim në qendër për fëmijë”, “mbikëqyrje e shtuar nga prindërit/ose prindi, respektivisht kujdestarët/ose kujdestari”, “familje kujdestare” ose nga qendra dhe masat institucionale “udhëzim në institucion edukues” dhe “udhëzim në shtëpi edukuese-përmirësuese”.
Masat institucionale i shqiptohen fëmijës kur ka nevojë për masa më të përhershme të edukimit, riedukimit apo shërimit dhe shkëputjes së tij të plotë nga mjedisi i deriatëhershëm. Kohëzgjatja e këtyre masave nuk mund të jetë më e gjatë se pesë vjet, por më së shumti deri në 23 vjet.
Sipas të dhënave të marra nga MPB-ja përmes Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik, nga gjithsej 405 aktgjykime të shqiptuara nga Gjykata Themelore Penale – Shkup për periudhën e viteve 2019-2021, në SHEP janë udhëzuar gjashtë autorë të mitur të veprave penale – dy për “vrasje”, dy për “vjedhje të rëndë”, një për “prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” dhe një për “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Tre personave u është shqiptuar mbikëqyrje e shtuar në një familje kujdestare, ndërsa me dënim me kusht ka përfunduar një i mitur.
Fëmijët viktima të veprimeve që janë parashikuar me ligj si vepra penale i kanë të drejtat e njëjta që i kanë edhe personat e rritur viktima para, gjatë dhe pas përfundimit të procedurës penale, si dhe të drejtat e veçanta të njohura nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe marrëveshjet tjera të ratifikuara ndërkombëtare. Këta fëmijë gëzojnë mbrojtje dhe mbështetje të shtuar nga të gjitha institucionet, organet dhe individët në sistemin e drejtësisë për fëmijët, me qëllim që të reduktohen pasojat negative mbi ta nga vepra penale dhe për të parandaluar ndikimin negativ të veprimit të institucioneve në zhvillimin e drejtë të fëmijës.
Pikërisht për shkak të këtyre mundësive ligjore, aktgjykimet më të shpeshta për personat e mitur në periudhën e njëjtë, respektivisht në tri vitet e fundit, sipas të dhënave deri të cilat ka ardhur MIA nga Gjykata Penale – Shkup, kanë qenë nën “mbikëqyrje të shtuar nga qendra” – gjithsej 187 dhe ka pasur po aq “masa për mbikëqyrjen e shtuar nga prindi-kujdestar”. Tetë persona kanë kaluar me “qortim” dhe shtatë me “dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse”.
Nga aktgjykimet e plotfuqishme ndaj personave të mitur autorë të veprave penale nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, në tri vitet e fundit më së shumti aktgjykim kanë marrë për “vjedhje të rëndë”, respektivisht gjithsej 102. Për shkak të “mosrespektimit të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë” janë dënuar 87 persona të mitur. Për “dhunë” janë dënuar 51 persona të mitur , për “grabitje” – 23, ndërsa për “lëndim të rëndë trupor” – 20.
Penalisht, një fëmijë mbi moshën 16 vjeçe mund të dënohet vetëm nëse për shkak të pasojave të rënda nga vepra e kryer dhe niveli i lartë i përgjegjësisë penale nuk do të ishte e arsyeshme që të shqiptohet masë edukuese. Në kushtet e përcaktuara me këtë ligj, fëmijës mbi moshën 16 vjeçe mund t’i shqiptohet burg për fëmijë, gjobë, ndalim të drejtimit të automjetit motorik të llojit ose kategorisë së caktuar dhe dëbim të personit të huaj nga vendi.
Nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve për MIA-n informojnë se në Institucionin ndëshkues-përmirësues – Burgun Ohër, numri i fëmijëve të cilët kanë vuajtur dënime me burg për fëmijë gjatë vitit 2019 dhe 2020 është nga nëntë, ndërsa në vitin 2021 katër.
Këshilli shtetëror të rekomandon që Këshillat komunalë të ndajnë Buxhet për parandalimin e delikuencës fëmijërore.
Me Ligjin për drejtësinë e fëmijëve, mes tjerash, rregullohet edhe ekzistimi i Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës fëmijërore, që është formuar në vitin 2009 nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në të është parashikuar të jenë anëtarë profesionistë, punëtorë profesionalë dhe shkencëtarë, të punësuar në institucione shtetërore dhe publike, në sektorin privat ose përfaqësues të shoqatave civile.
Kryetarja e KSH-së, Lazhetiq, sqaroi për MIA-n se përkundër faktit që Këshilli jep iniciativa për ndryshime në zgjidhjet ligjore dhe mendime në raport me ligjet e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, ka kompetencë për njoftim më të gjerë të qytetarëve me të drejtat e fëmijëve, që realizohet me përpilimin e broshurave, fletushkave, përditësimin e rregullt të faqes së internetit me përmbajtje të dobishme dhe pjesëmarrje në seminare.
“Kompetencat e Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës Fëmijërore janë të përkufizuara me Ligjin për drejtësi për fëmijët, në të cilat bëjnë pjesë miratimi i Strategjisë kombëtare për parandalimin e delikuencës fëmijërore, miratimi i programeve vjetore dhe planeve të punës, jep iniciativat për ndryshime të zgjidhjeve ligjore dhe mendimeve në raport me ligjet e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës. Këshilli Shtetëror rregullisht përpilon Raport vjetor për punën që ia dorëzon Kuvendit dhe Qeverisë, Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme, të cilat janë të detyruara ta shqyrtojnë dhe të ndërmarrin masa dhe aktivitetet përkatëse”, informon Lazhеtiq.
Nga Këshilli Shtetëror shprehen se vazhdimisht i përkujtojnë kryetarët e komunave për detyrimin e tyre në përputhje me Ligjin për drejtësi për fëmijët për formimin e këshillave komunale për parandalimin e delikuencës fëmijërore. Sipas KSH-së, një nga problemet kryesore me mosekzistencën ose mosfunksionimin e këshillave komunale ka të bëjë me faktin se nuk ndahen mjete nga buxheti komunal për të valorizuar aktivitetet e këshillave komunalë, për shkak të cilës arsye nuk ekziston motivim i mjaftueshëm dhe këto dispozita nuk implementohen.
SHEP-Tetovë me kushte të shkëlqyeshme, por shumë larg vendbanimit për zhvillim të pandërprerë të mësimit
Ekipi i gazetarëve të MIA-s ka vizituar objektin e Shtëpisë edukuese përmirësuese në Vollkovijë, për të cilin ka publikuar reportazh dhe ka vërejtur kushte të shkëlqyera dhe kuadër të mjaftueshëm për trajnimin dhe risocializimin përkatës të fëmijëve delikuentë, banorë të shtëpisë..
Për kushtet në SHEP-Tetovë mendimin e vet e jep edhe Këshilli Shtetëror, nga ku për MIA-n informon se shumë herë kanë bërë të ditur se kushtet në Shtëpinë janë pakrahasueshëm më të mira se kushtet në të cilat janë akomoduar fëmijët në Burgun Ohër, por siç shprehen, “KSH ka reaguar dhe se objekti në Vollkovi është shumë i madh dhe i papërshtatshëm në aspektin arkitektonik ndaj nevojave që duhet t’i ofrojë institucioni edukues-përmirësues, është shumë larg vendbanimit, pa linjë direkte autobusi, me kushte të vështira për zhvillimin e mësimit dhe sigurimin e mbrojtjes shëndetësore”.
Përkundër këtyre vërejtjeve, KSH ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me drejtorinë e SHEP -Tetovë, për të cilin vlerëson se bën përpjekje të jashtëzakonshme për zbatimin
e trajtimit, programeve, procesit të risocializimit dhe përgatitjes së fëmijëve për jetë jashtë institucionit. Në këtë kuptim, qëndrimi i KSH-së është akomodimi i SHEP në objektin në Vollkovi duhet të konsiderohet zgjidhje kalimtare, respektivisht nuk mjafton vetëm gjetja dhe ndërtimi i një objekti përkatës, por duhet të adresohen edhe problemet tjera.
Në Shtëpinë Edukuese-Përmirësuese – Tetovë, me mbërritjen e aktvendimit të plotfuqishëm dhe aktit udhëzues, i pranojnë fëmijët si të rinj në atë institucion dhe fillimisht i akomodojnë në repartin e pranimit.
“Pas shqiptimit të masës së udhëzimit në SHEP, pra me mbërritjen e aktvendimit të plotfuqishëm dhe aktit të udhëzimit, ne i pranojmë fëmijët si të rinj në institucionin tonë me atë që fillimisht i vendosim fëmijët në repartin e pranimit, ku punon ekipi profesional i përbërë nga tre anëtarë, pedagog, psikolog dhe punëtor social, ku fëmija qëndron me ta nga 15 deri në 30 ditë. Ata e analizojnë, testojnë, përdorin metoda të ndryshme, edhe pedagogjike, edhe psikologjike, edhe sociale, në mënyrë që ta shohim strukturën e tij. Gjithsesi, ne marrim edhe raport për të kaluarën e tij, historinë e tij dhe më pas e përcaktojmë në vendin e ngjarjes. Fillimisht e shikojmë fëmijën, prej ku e ka prejardhjen, a është prej një familjeje, a ka prindër, a vjen nga shtëpia, shikojmë arsimin, a është i arsimuar, analfabet. E shohim të gjithë personalitetin e fëmijës, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda përmes metodave të ndryshme. Dhe më pas nga ato 15-30 ditë, tashmë normalisht edhe për shkak të situatës me koronën në shtetin tonë, i izolojmë pra deri në 30 ditë. Ndryshe, mundet pas 15 ditëve fëmija mund të vendoset menjëherë në ndonjë nga grupet. Kemi dy grupe. Këtë e përcakton ekipi profesional, në cilin grup do të jetë. Pra, shikohet mosha e fëmijës”, sqaron drejtori i Shtëpisë, Daniell Antoski, në intervistën për MIA-n..
Shtëpia edukuese-përmirësuese është institucion i specializuar arsimor, me program të veçantë edukativo-profesional dhe me regjim të veçantë të sigurimit të tipit të “shkollës-burg”, ku fëmija i privuar nga liria përfshihet në programin e përgjithshëm arsimor ose programin për aftësim profesional.
Trajtimi i fëmijës në shtëpinë edukuese-përmirësuese organizohet në atë mënyrë që i sigurohen kushte për arsim fillor dhe të mesëm dhe edukim, për përvetësim dhe zhvillim të shprehive pozitive, të veçorive vlerësuese dhe për specializim pune dhe aftësim për profesione të caktuara. Në shtëpinë gjithashtu i sigurohen kushte për shfrytëzim aktiv të kohës së lirë me aktivitete kulturore, argëtuese dhe sportive, duke mbajtur kontakte me familjen dhe persona dhe institucione të tjera që mund të ndikojnë pozitivisht në risocializimin e tyre.
Mirëpo, vizita e MIA-s në SHEP -Tetovë dhe Shtëpinë EP për vajza që është vendosur në kuadër të Institucionit ndëshkues-përmirësues – Idrizovë vërejti se për momentin, në të dyja shtëpitë përmirësuese procesi edukativo-arsimor është në ngecje, e te të
miturat nuk ka as kushte përkatëse për akomodim, meqë praktikisht ndodhen në burg për të rritur, e gjithashtu edhe aktivitetet e lira janë të kufizuara..
Megjithatë, masat institucionale “udhëzim në institucionin edukues” dhe “udhëzim në shtëpi ndëshkuese-përmirësuese” janë parashikuar si sanksione të jashtëzakonshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë për fëmijët që e preferojnë trajtimin jashtinstitucional të fëmijëve në konflikt me ligjin. Zbatimi i tyre nuk lidhet me llojin apo peshën e veprimit të fëmijës të parashikuar si vepër penale, por me gjendjen e tij dhe me nevojën për mbikëqyrje më të përhershme dhe masa të përforcuara të edukimit, riedukimit dhe zhvillimit të drejtë.
I mituri nuk lind delikuent dhe nuk vendos të bëhet i tillë, por janë disa faktorë që ndikojnë në krijimin e një profili të tillë tek fëmija, e kjo në të shumtën e rasteve është mungesa ose edukimi joadekuat nga familja, shkolla, mjedisi social.
Vazhdon…
Boris Kunoski
Angella Rajçevska
Ana Cvetkovska
Këtë përmbajtje e përpiloi Agjencia Informative Mediatike (MIA) në bashkëpunim me platformën onlajn www.samoprasaj.mk të Institutit për studime komunikuese, si pjesë e projektit “Lidhi pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare” që e financon Ambasada britanike në Shkup.

